Dumoshi flet me të rinjtë për sfidat e tyre, zotohet për më shumë angazhim

Dumoshi flet me të rinjtë për sfidat e tyre, zotohet për më shumë angazhim

2 muaj më parë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në debatin virtual të organizuar nga Kongresi Kombëtar i të Rinjve të Kosovës në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich – Eber.

Tema e këtij debati ishte “Ndikimi social dhe kulturor – aktivizimi rinor”, njofton Klan Kosova.

Sipas MKRS-së pika kryesore të kësaj bisede ishin sfidat e të rinjve në kohën e pandemisë me theks tek aktivizimi online, roli i institucioneve në përfshirjen e të rinjve në menaxhimin e situatës me COVID-19, mbështetja e iniciativave rinore në rritjen e aktivizimit rinor gjatë pandemisë dhe sfidat për mësimin dhe studimin online në muajt në vijim.

Gjithashtu, ministrja shpalosi aktivitetet që ka drejtuar përgjatë kësaj kohe, të cilat ndonëse të reduktuara për shkak të situatës me COVID–19 janë realizuar brenda kapaciteteve ekzistuese që ka MKRS.

Ndër të tjera tregoi për nismën që MKRS dhe UNKT në Kosovë ndërmorën në rrjete sociale për të luftuar gjuhën e urrejtjes duke i shndërruar të rinjtë në agjentë të ndryshimit social si dhe shpalosi takime e aktivitete të tjera virtuale në të cilat ka marrë pjesë ku është angazhuar maksimalisht që të jetë zëri i të rinjve kosovarë pa dallim moshe, gjinie, etnie apo përkatësie tjetër shoqërore.

“Ftuesit e falënderuan ministren për pjesëmarrjen dhe u shprehën të lumtur që përmes kësaj bisede arritën të shohin pasqyrën reale të gjendjes aktuale duke e parë si shpresëdhënës angazhimin e saj direkt për përfshirjen e të rinjve në jetën social-kulturore në Kosovë”.