Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Drejtuesi i USAID-it më 1999: Kosovarët kishin nevojë për gjithçka sepse Serbia ua kishte marrë të gjitha

NULL NULL
13.06.2024 19:15
dale pfeiffer
Ish-drejtori i USAID-it për Kosovë më 1999, Dale Pfeiffer. Foto: Klankosova.tv

Ish-drejtori i USAID-it për Kosovë më 1999, Dale Pfeiffer, ka thënë se vendi ka marrë pamje krejt tjetër që nga ajo kohë.

Në një intervistë me gazetaren Arbëreshë Shpati për “Info Magazine” në Klan Kosova, amerikani shprehet të jetë fort i befasuar me arritjet e kosovarëve e të shtetit të Kosovës në gjithë këto vite.

Shpati: Ju faleminderit shumë për kohën tuaj dhe mirë se erdhët serish në Republikën e Kosovës!

Dale: Ju faleminderit! Kur erdha për herë të parë këtu nuk ishte republikë por tani është.

Shpati: Po tani është republikë dhe është nder për ne që të bëjmë këtë intervistë me ju për të kuptuar më shumë mbi përvojën dhe rolin tuaj në krye të USAID-it, 25 vjet më parë.

Dale: Në vitin 1999, e telefonova Uashingtonin dhe u thashë se do të doja të ndihmoja Kosovën. Disa ditë më pas më telefonuan dhe më thanë se do të donin që unë të shkoja në Bruksel për t’i përfaqësuar dhe unë u thashë se jo, kjo nuk është ajo që unë po kërkoj. Ajo që dua unë është që të shkoj në Kosovë dhe t’iu ndihmoj njerëzve atje. Pas disa ditëve më thirrën prapë dhe më thanë të shkoja në Maqedoni, ku atje kishim një ekip të vogël, të përbërë nga katër kosovarë, një shtetas britanik, që ishte i martuar me një oficere amerikane, grumbulluan të gjitha gjërat që na duheshin për të rihapur misionin e USAID-it në Kosovë. Kjo zgjati rreth një muaj. Dhe pastaj më në fund morëm thirrjen se bombardimet e NATO-s, që kishin filluar, u ndalën dhe ne mund të vinim këtu.

Shpati: Cila ishte përvoja juaj kur erdhët për herë të parë këtu? Çfarë lloj ndjesie kishit kur takuat njerëzit e parë në Kosovën e sapodalë nga lufta? Çfarë ju thanë ata? Për çfarë kishin nevojë më së shumti?

Dale: Epo, ishte një turmë e njerëzve që hasëm pikërisht këtu në qoshe. Ata qanin e qeshnin, por përqafoheshin po ashtu, pasi kishin qëndruar të fshehur në banesat e tyre. Prej aty ata kishin parë serbët duke u përpjekur të largonin njerëzit nga shtëpitë e tyre. Dhe papritmas ishin të lirë tashmë. Aty e kuptova, që nga ajo ditë se njerëzit e këtushëm filluan të mendojnë për të ardhmen, e jo për të shkuarën, duke e çmuar shumë lirinë. Por janë të huajt që kur erdhën këtu menduan, oh, këta kosovarë tash duhet të rregullojnë marrëdhëniet me serbët. Dhe unë vazhdimisht iu thosha, jo, është e kundërta. Por mendoj se nuk bëra shumë për t’i bindur ata.

Shpati: Kosovarët që përmendët, ata që po qanin, që po qeshnin, që po përqafoheshin me njëri-tjetrin, meqë tash e kishin kuptuar se ishin të lirë. Por në këtë pjesë një rol me rëndësi e ka luajtur edhe USAID-i duke i ndihmuar ata. Cilat ishin gjërat kryesore, më elementare, që ata kishin nevojë gjatë atyre ditëve në qershorin e vitit 1999?

Dale: Gjithçka. Serbët ua kishin marrë pushtetin, kishin plaçkitur bankat. Më një fjalë, kishin marrë gjithçka. Kishin shkatërruar shtëpitë, fshatrat dhe jetët e njerëzve. Dhe USAID-i nuk kishte vetëm misionin e USAID-it që u hap këtu, por kishim edhe Programin e Iniciativave për Jashtë, së bashku edhe me organizatën e këtij programi, që u erdhi si ndihmë e menjëhershme familjeve dhe fshatrave dhe qeverive komunale. Kështu, gjërat morën hov shpejt me USAID-in.

Ne e hapëm misionin tonë në Dragodan dhe vepruam menjëherë brenda disa ditësh, duke kërkuar programe nëpërmjet të cilave donim të ndihmonim popullatën. Faktikisht, ishte mjaft e çuditshme të shihja sa shpejt u paraqitën të gjitha organizatat ndërkombëtare vullnetare, duke i mbushur me ujë shishet plastike të zbrazëta, që njerëzit kishin ujë të freskët. Por ajo që më impresionoi më shumë ishte se vetë kosovarët filluan të punojnë menjëherë për të filluar rikthimin e jetës.

Kujtoj që po udhëtoja për në Prizren dhe në rrugë pashë një njeri që kishte ngritur një biznes të materialit ndërtimor. Dhe pyeta, si e bëre këtë? Ai më tha, që ti ketë kërkuar një të afërmi t’i dërgojnë para. Organizatat ndërkombëtare ende po përpiqeshin të sillnin materiale ndërtimi, që ende nuk ishin arritur. Kështu që kosovarët po ia dilnin shumë mirë.

Shpati: A kishte ndonjë vështirësi gjatë rolit tuaj këtu si drejtor i parë i USAID-it në Kosovë, tani Republika e Kosovës?

Dale: Aspak. Ne nisëm punën menjëherë. Unë njihja zyrtarë në Bashkimin Evropian sepse kisha punuar në Bruksel për dy vjet, kështu që punova ngushtë me përfaqësuesin e BE-së këtu. Dhe një ditë kur u takuam për darkë, ai më tha, po has në vështirësi që Brukseli të lëvizë më shpejt. Më tha se ka nevojë për para për të punësuar njerëz, për të sjellë ekspertë.

Dhe unë i thashë, USAID-i ka paratë, mund të kontraktojmë njerëz dhe mund t’i sjellim ata. Nuk duhet medoemos që të jenë amerikanë dhe po kështu vepruam. Si fillim na duhej të sillnim ekspertë për të ndihmuar në krijimin e bankës qendrore, të krijonim Ministrinë e Financave. Pothuajse çdo ministri u krijua brenda një kohe të shkurtër. Dhe ju kishit kosovarë që kishin punuar në ministri më parë, që kishin ardhur këtu dhe që kishin marrë pozitat e tyre.

Shpati: Pra, le të themi, se si pjesë e misionit të USAID-it ishin të përfshirë edhe kosovarët?!

Dale: Me një fjalë ishte gjithçka kosovare. Dhe morëm më të mirët. Mendoj se për shkak se ishim amerikanë, njerëzit donin të punonin me ne, kështu që e bëmë njoftimin dhe njerëzit erdhën dhe aplikuan, me pas u intervistuan. Ne sot kemi misionin më të mirë të USAID-it në botë, mendoj unë, jashtë vendit. Faktikisht, amerikanët qe vijnë këtu për të punuar thonë se punonjësit lokalë janë kaq të mirë. Dhe se kanë qëndruar bashkë. Pothuajse të njëjtit persona të punësuar atëherë ende punojnë në USAID, me disa përjashtime.

Shpati: Pra për 25 vjet.

Dale: Për 25 vjet.

Shpati: Pra, nuk ishte shumë e vështirë që të gjenit njerëz profesionalë për të bërë punën e tyre, edhe pse ishte kohë lufte.

Dale: Nuk dukej se ishte. Pra, njerëzit ishin të shqetësuar se si të fillonin punën. Ata ndiqnin udhëzimet. Ata ishin tashmë të aftë në shumë mënyra. Dhe kështu nisem të sillnim disa amerikanë për të punuar me ta, që sillnin aftësi të tjera, që mund të punonin së bashku me ta. Ishte një proces mjaft i lehtë dhe ishte emocionues.

Ishte argëtuese. Nuk dua ta them, por ishte argëtuese. Por personi me të cilin kam punuar shumë ishte Bajram Rexhepi, kur ishte kreu i Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes. Një njeri shumë i mirë, një njeri shumë i ndershëm, një njeri i përkushtuar për të ardhmen e Kosovës. Dhe mendoj se ai asnjëherë nuk u njoh plotësisht për atë që po përpiqej të bënte.

Shpati: Po, e kuptoj! A keni menduar ndonjëherë për ndonjë rrezik që mund të ndodhte? Sepse edhe pse NATO ndërhyri, forcat ushtarake serbe ishin ende të pranishme. Më thuaj më shumë për këtë përvojë.

Dale: E kujtoj shumë mirë atë kohë, sepse kur ne ardhëm dhe shkuam këtu në këtë kënd dhe takuam të gjithë ata njerëz, MUP-i serb ishte aty me mitralozat e tyre. Por ata u larguan brenda dy ditësh. Me serbët nuk patëm ndonjë situatë të vështirë. Por kemi pasur një incident, ku ka pasur disa arabë që përpiqeshin të hyjnë dhe të infiltrojnë njerëz në zyrën tonë. Dhe disa muaj më vonë, ata gjetën një garazh në fund të rrugës nga zyra jonë, që ishte e ngarkuar me municione dhe dinamit.

Shpati: Veç kësaj, ju gjithashtu keni qenë edhe anëtar i bordit të Fondacionit Amerikano-Kosovar për Arsimin.

Dale: Unë isha themelues. Po. Ka qenë një nga përvojat më të mira të jetës sime dhe një nga projektet më të mira që kam bërë ndonjëherë. Tani kemi trajnuar 217 kosovarë me gradën e dy vjetëve të masterit. Dhe ata kanë shkuar në universitetet më të mira në Amerikë, janë kthyer këtu me njohuritë që i kanë marrë atje për t’i aplikuar këtu. Por jo të gjithë u kthyen. Disa kanë shkuar jashtë, por mbeten ende kosovarë. Kjo është ende “shtëpia” për ta. Unë besoj se ata do të kthehen dhe do të japin kontributin e tyre në mënyra të ndryshme. Ani se disa kanë kanë nisur biznese, kanë marrë poste të larta në qeveri, ministra, zv.ministra, ambasadorë. Ka qenë një përvojë shumë e mrekullueshme për mua. Ne erdhëm për të gjetur më të mirët dhe më të zgjuarit dhe gjetëm më të mirët dhe më të zgjuarit.

Shpati: E kuptoj! Çfarë do t’i sugjeronit qeverisë së Republikës së Kosovës, për institucionet arsimore, se si të veprojnë ndryshe në mënyrë që Republika e Kosovës të ketë më shumë njerëz të kualifikuar, më të përgatitur për punë të ndryshme që kërkon tregu? Sepse këtu në Republikën e Kosovës, njerëzit që studiojnë thonë se nuk po marrin edukimin e duhur profesional si pasojë e mungesës se praktikës.

Dale: Ju nuk mund të më bënit një pyetje më të mirë sepse ka qenë në mendjen time gjatë vitit të kaluar.

Programi që drejtoja unë po përfundon. Po na po mbarojmë paratë dhe përveç nëse marrim një grant të madh, nuk do të ndalet deri në një të ardhme të afërt. Por unë erdha me një mendim ju që keni një gamë të gjerë, një numër të madh të institucioneve arsimore nga lart e poshtë, që janë krijuar këtu me kapacitet dhe aftësi të ndryshme, por nuk kanë asnjë strategji për ku po shkojnë, për cilat punë po trajtojnë dhe për çfarë. Dhe unë iu propozova disa udhëheqësve politikë dhe kryeministrit një ide, një ide shumë jodemokratike, për të krijuar një fond të ngjashëm me fondin e pensioneve, që do të krijojë të ardhura në bazë vjetore, që mund të përdoren për të financuar një institucion publik gjysmë-privat, që do të përqendrohet në një rishikim 20-vjeçar të sistemit arsimor, për të përmirësuar të gjitha ato që ekzistojnë ose që duhet të ndryshojnë me një strategji për ku po shkoni. Kosova është një vend i vogël. Duhet të punojë në burimin e vet dhe burimi këtu është në mendjet e njerëzve.

Dhe këtu keni mendje fantastike, me duhet ta them. Unë kurrë nuk kam hasur në aq shumë njerëz që janë thjeshtë instinktivisht kaq të zgjuar. Kështu që unë mendoj se keni kapacitetin të jeni të vegjël, por të mëdhenj. Ju mund të jeni udhëheqës në Evropë. Ju mund të jeni udhëheqës në botë. Do të mbeteni një vend me madhësi të kufizuar fizikisht dhe me një popullsi të vogël. Por keni një kulturë këtu dhe është e vlefshme që iu siguron atyre një ekonomi, ku ata mund të kontribuojnë në rritjen e vendit të tyre dhe të ndërveprojnë me institucionet e vendeve të tjera në botë. Pra kam shumë shpresa. Unë gjithmonë përdor Singaporin si shembull, ata janë një vend i vogël dhe do të duhet ta bëjnë atë intelektualisht dhe teknologjikisht. Dhe ata janë një nga vendet kryesore në botë në teknologji dhe rritjen ekonomike. Ju mund të bëni të njëjtën gjë.

Shpati: Ky është një shembull i shkëlqyer që dikush mund të përmend që ta kemi parasysh. Ju falënderoj shumë për kohën tuaj.

Dale:  Faleminderit juve që më intervistuat.

lajme të ngjashme