Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

​Dogana kap 23,500 euro të padeklaruara në Merdarë, ndalet 25% e shumës

NULL NULL
03.07.2026 11:53

Dogana e Kosovës ka zbuluar para të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar Merdarë.

Sipas njoftimit gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarët doganorë dhe Policia Kufitare, u zbuluan mjete monetare të padeklaruara në dy lokacione të ndryshme të automjetit. Një shumë prej 10,000 euro u gjet në çantën personale të udhëtarit, ndërsa 13,500 euro u zbuluan të fshehura në zarfe brenda një ndarjeje të automjetit. Në total, u evidentuan 23,500 euro mjete monetare.

Personi posedonte gjithashtu një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone, të datës 29.06.2025, si dhe një dëshmi të tërheqjes bankare, të datës 01.07.2026, të cilat shërbenin si dokumentacion mbi prejardhjen e mjeteve monetare.

Dogana e Kosovës thotë se pasi personi kishte dokumentuar burimin e ligjshëm të mjeteve monetare, u vendos ndalimi i 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër iu kthye poseduesit, në pajtim me procedurat dhe dispozitat ligjore në fuqi.

“Dogana e Kosovës rikujton se çdo person fizik që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës me mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro ose më shumë (ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme) ka detyrim ligjor t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore. Mosdeklarimi ose deklarimi i pasaktë përbën kundërvajtje dhe sjell pasoja ligjore, përfshirë ndalimin e përkohshëm ose konfiskimin e një pjese të mjeteve monetare, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

lajme të ngjashme