Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Zona e Debatit: Dilemat shqiptare për protestat në Maqedoni

NULL NULL
07.05.2015 22:57
Bilall Sherifi: Kësaj radhe shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e protestës pa marrëveshje me Zaevin. Nazim Rashidi: Pritet ndërhyrje ndërkombëtare.

Zona e Debatit sonte i është dedikuar protestave të fundit që shpërthyen në Maqedoni dhe rolit politik dhe social të shqiptarëve në këtë proces.

Në emisionin e udhëhequr nga Gazmend Syla, Drejtor i informacionit në Klan Kosova, panelistë ishin Arben Ratkoceri (Gazeta Koha), Bilall Sherifi (njohës i rrethanave politike në Maqedoni), Abdullah Aliu (Profesor në Fakultetin Juridik në UP), Nazim Rashidi (publicist), dhe Naim Rashiti (Grupi për Politika Ballkanike).

Të ftuarit kanë diskutuar për përfshirjen e shqiptarëve në protestat kundër pozitës, por edhe për aspektet tjera të situatës aktuale politike në të cilën gjendet Maqedonia.

Bilall Sherifi ka thënë se shqiptarët nuk duhet t’i bashkohen opozitës pa marrëveshje.

“Kësaj radhe shqiptarët nuk duhet të bëhen pjesë e protestës pa marrëveshje me Zaevin pa e qartësuar se cila do të jetë e ardhmja e tyre me të. Ai ka dalë me parullën: ‘E vërteta për Maqedoninë’, por nuk ka treguar se cila është e ardhmja e saj në krye me të”.

Publicisti Nazim Rashidi ka folur rreth skandalit të përgjimeve, duke e cilësuar qeverinë si “paranojake” dhe ka konstatuar se edhe politikanët e rajonit janë përgjuar.

“Kemi të bëjmë me një qeverisje që ka qenë në paranojë totale. Rreth 20.000 qytetarë, gazetarë dhe politikanë, janë përgjuar. Edhe politikanët e Kosovës e Shqipërisë janë përgjuar. Vetëm dy numra nuk janë përgjuar – ai i kryeministrit Gruevski dhe i shefit të shërbimeve sekrete”.

Rashidi mendon se në Maqedoni do të ketë ndërhyrje ndërkombëtare.

“Është e qartë se do të ketë ndërhyrje ndërkombëtare. Ambasadorja gjermane në Maqedoni tashmë ka dalë me deklarata rreth çështjes”.

Arben Ratkoceri, gazetar, ka treguar se si janë pozicionuar maqedonasit karshi shqiptarëve në këtë çështje dhe cili është qëndrimi i një pjese të shqiptarëve rreth protestës.

“Maqedonët thonë se pa shqiptarët nuk e ndërrojmë dot këtë qeveri. Disa nga shqiptarët mendojnë se ky problem është problem i brendshëm i maqedonëve dhe shqiptarët nuk duhet të përzihen. Nëse përzihen, atëherë duhet ta kushtëzojnë opozitën”.

Ndërsa, Naim Rashiti nga Grupi për Politika Ballkanike ka konstatuar se Maqedonia ka bërë regres të vazhdueshëm.

“Që nga përfundimi i konfliktit, Maqedonia kishte tempo të mirë të zhvillimit dhe ishte në hap me integrimin europian”.

“Por, viteve të fundit është vendi me situatën më të keqe në shumë fusha në Ballkan. Shfrytëzimi i nacionalizmit të Gruevskit për ta kapur shtetin është një fenomen i ri modern, i cili duhet të studiohet shumë”.

 

klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.