Dialogu në nivel kryenegociatorësh: Vazhdojnë takimet në Bruksel NULL NULL 02.07.2024 17:23 02.07.2024 17:23 Kanë filluar takimet dypalëshe në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, u takua fillimisht me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, dhe më pas nisi një takim tjetër dypalësh me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi. Varësisht nga rrjedha e takimeve dypalëshe dhe nga gatishmëria e palëve, Lajçak mund t’i takojë Bislimin dhe Petkoviqin në një takim trepalësh. Më herët zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, paralajmëroi se në krye të agjendës së diskutimeve do të jetë zbatimi urgjent i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Marrëveshja u arrit vitin e kaluar, por nuk u zbatua. Ajo, mes tjerash, i kërkon Kosovës t’i ofrojë një nivel vetëmenaxhimi komunitetit serb, ndërsa Serbisë të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Për zbatimin e saj, javën e kaluar në Bruksel u thirrën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, Kurti nxori disa kërkesa për vazhdimin e dialogut – përfshirë nënshkrimin e marrëveshjes dhe dorëzimin e Millan Radoiçiqit – që Vuçiq nuk i pranoi. Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e një sulmi të armatosur në Kosovë – shtatorin e kaluar – ku mbeti i vrarë një polic. Ai besohet se është i lirë në Serbi. Pritjet që Bislimi dhe Petkoviq të dakordohen për ndonjë gjë, nuk janë të mëdha. Disa runde bisedimesh mes tyre për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, përfunduan në maj pa ndonjë marrëveshje. Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian./REL/ *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Ministria e Mbrojtjes i përgjigjet dezinformatës së Vuçiqit: Nuk koordinojmë operime me dronë jashtë kufijve të Kosovës 4 orë më parë
Kosova Haxholli thotë se MPJD i dha vërejtje me shkrim për reagimet e tij ndaj Serbisë në mbrojtje të interesit shtetëror të Kosovës 5 orë më parë