Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dhuna, vetëvlerësimi i ulët e sjellja indiferente e prindërve: Si ndërtohet një bullizues?

NULL NULL
02.07.2025 21:20

Bullizmi është një fenomen shqetësues që sipas psikologëve dhe sociologëve, ndikon në mirëqenien emocionale dhe sociale të individëve, veçanërisht në moshat e hershme dhe në mjedise si shkolla apo puna.

Shpesh vëmendja përqendrohet te viktimat, por po aq e rëndësishme është që të kuptohet edhe profili psikologjik i bullizuesit, pra individit që ushtron këtë sjellje.

Bullizuesi apo ngacmuesi është individi që përdor dhunë fizike, verbale, psikologjike ose sociale ndaj një tjetri me qëllim për të dëmtuar, kontrolluar apo dominuar.

Psikologia Antigona Qenaj, në një prononcim për Klankosova.tv, ka theksuar rëndësinë e kuptimit të karakteristikave të bullizuesit, duke thënë se sjellja e tyre shpesh buron nga faktorë të ndryshëm psikologjikë, familjarë dhe socialë.

Sipas saj, bullizuesit zakonisht janë individë të rritur në ambiente ku dhuna është e zakonshme ose ku prindërit tregohen indiferentë ndaj sjelljeve të fëmijëve të tyre. Ajo ka renditur disa karakteristika të përgjithshme që shpesh përshkruajnë profilin psikologjik të një bullizuesi.

Çka e karakterizon një bullizues?

Një nga karakteristikat, sipas saj, është vetëvlerësimi i ulët ose i fryrë në mënyrë të rreme. “Disa bullizues kanë ndjenjë të ulët vetëvlerësimi dhe përpiqen të ndihen superiorë duke poshtëruar të tjerët. Të tjerë shfaqin vetëvlerësim të fryrë dhe narcizëm – ndihen më të mirë se të tjerët dhe justifikojnë sjelljet e dhunshme”, thotë ajo.

Po ashtu, karakteristikë tjetër është që të njëjtit kanë vështirësi në ndjeshmëri emocionale (mungesë empatie). “Kanë vështirësi të ndiejnë keqardhje për të tjerët dhe nuk e kuptojnë dhimbjen që shkaktojnë”.

Sipas Qenajt, disa bullizues karakterizohen për impulsivitet dhe mungesë kontrolli emocional. Ata, thotë psikologia, reagojnë me agresivitet ndaj frustrimeve apo ndjenjës së refuzimit.

Veç këtyre karakteristikave, Antigona Qenaj thotë se këta persona ndiejnë nevojën për dominim dhe kontroll. “E ndjejnë veten të fuqishëm kur i frikësojnë ose lëndojnë të tjerët. Kërkojnë status dhe kontroll në grupet sociale (shkollë, punë, komunitet)”.

Ndërkaq, një karakteristikë tjetër që i veçon bullizuesit është edhe mungesa e ndëshkimit apo modelimi pozitiv në familje. Ata persona “janë rritur në ambiente ku dhuna është e zakonshme ose ku prindërit janë indiferentë ndaj sjelljeve të tyre. Mund të jenë vetë viktima të dhunës në shtëpi apo kanë parë prindër që përdorin agresion për të zgjidhur konflikte”.

Mirëpo, psikologia Qenaj thotë se te këta persona ndikon edhe influenca e shoqërisë dhe e mediave.

“Grupet e bashkëmoshatarëve që nxisin sjellje agresive. Përforcim nga rrjetet sociale ku bullizimi shpesh glorifikohet ose nuk ndëshkohet”, është shprehur Qenaj për Klankosova.tv.

Sa lloje bullizuesish ka dhe si të ndihmohen ata?

Veç karakteristikave, Qenaj ka renditur edhe llojet e bullizuesve, sipas stilit të tyre.

Bullizuesi i drejtpërdrejtë (fizik/verbal): Përdor fjalë fyese, përqeshje, përjashtim, goditje, shtyrje etj. Bullizuesi indirekt (social/psikologjik): Përhap thashetheme, manipulon të tjerët, izolon viktimën. Bullizuesi strategjik (mashtrues/nën maskë): Shfaqet i sjellshëm përpara të rriturve, por ngacmon fshehurazi. Dhe, bullizuesi që ka qenë viktimë: Është ngacmuar vetë dhe tani përsërit ciklin tek të tjerët për të ‘kompensuar’ dobësinë”, potencon Qenaj.

Rreziqet nëse nuk ndërhyhet te bullizuesi, sipas Qenajt, fillojnë nga zhvillimi i çrregullimeve të personalitetit antisocial ose narcisist, sjellja delikuente apo kriminale në adoleshencë dhe moshë të rritur, dështim në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme, si dhe vështirësi në punë dhe jetë sociale për shkak të problemeve me autoritetin dhe bashkëpunimin.

Psikologia gjithashtu tregoi edhe se çfarë duhet bërë për të ndihmuar bullizuesin.

“Ndërhyrje psikologjike individuale. Vlerësim klinik dhe terapi për të eksploruar burimet e agresionit dhe për të zhvilluar empati. Përfshirja e familjes në trajtim. Edukim për prindërit mbi prindërimin pozitiv dhe modelimin e sjelljeve të shëndetshme”.

“Puna me grupin social. Ndërhyrje në ambientin ku ndodh bullizimi (shkollë/punë) për të ndalur përforcimet sociale ndaj agresionit. Zhvillimi i aftësive sociale dhe emocionale. Aftësi si menaxhimi i zemërimit, komunikimi jo i dhunshëm, zgjidhja e konflikteve”, u shpreh tutje ajo.

Formimi i një bullizuesi, nga aspekti sociologjik

Ndërkaq, për sociologun Xhenis Beqiri, fenomeni i bullizmit në mjediset sociale, veçanërisht në shkolla dhe hapësirat rinore ka marrë përmasa shqetësuese dhe kërkon një analizë që shkon përtej interpretimeve individualiste.

Për ta kuptuar në thelb mënyrën sesi formohet një bullizues, Beqiri tha se është e domosdoshme të trajtohet ky proces në një kuadër më të gjerë sociologjik.

Nga një perspektivë sociologjike, formësimi i një bullizuesi përfaqëson sipas tij, një produkt të ndërlikuar të proceseve të socializimit, ku ndërthuren ndikimet mikrosociale, si familja dhe grupet primare, me strukturat makrosociale, si institucionet, kultura dhe normat shoqërore.

“Në rrafshin mikrosocial, familja si agjenti parësor i socializimit shpesh luan një rol përcaktues: prania e modeleve prindërore autoritare, mungesa e ndjeshmërisë emocionale apo normalizimi i sjelljeve agresive brenda ambientit familjar çojnë në interiorizimin e modeleve të dhunës si mekanizma legjitimë për ndërveprim social”.

“Në mënyrë të ngjashme, eksperiencat e mungesës së kontrollit emocional dhe dëshirës për dominim shfaqen si komponente kompensuese të vetëvlerësimit të ulët apo të përjashtimit social”, u shpreh ai.

Sociologu gjithashtu theksoi se në rrafshin institucional, shkolla, media dhe struktura të tjera të socializimit sekondar luajnë rol nxitës ose lehtësues për sjelljet bullizuese, qoftë përmes mungesës së mekanizmave ndërhyrës, qoftë përmes promovimit të diskurseve që glorifikojnë forcën, hierarkinë dhe konkurrencën toksike.

Në këtë mënyrë, Beqiri tha se bullizuesi nuk duhet parë si një devijim i izoluar individual, por si pasojë strukturore e një rendi shoqëror ku dhuna simbolike dhe fizike shpesh funksionon si mjet për ruajtjen ose rikonfirmimin e kapitalit social dhe statusit brenda fushave të ndryshme shoqërore. /Klankosova.tv

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.