Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dështon edhe sot konstituimi, opozita rebelohet në VV-në për bllokim

NULL NULL
29.06.2025 10:44

12:00 – Krasniqi: Sot me vetëdije u shkel Kushtetua, pa u trembur qerpiku

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të seancës konstituive tha se sot është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

Kjo sipas tij, u bë kryesisht nga grupi i Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton klankosova.tv.

“Sot një numër i madh i deputetëve, kryesisht të grupit të Vetëvendosjes, e kanë shkelur me vetëdije Kushtetuën, me qëllim, pa iu trembur qerpiku. Sot ka ndodhur një lëndë e re, një shkelje e re, dhe kushdo që e çon në Gjykatë, sipas bindjes sime, ka me dalë si shkelje”, u shpreh Krasniqi.


11:55 – Arbreshë Krasniqi nga Nisma: Kosova është përtej qëndrimeve individuale, është më shumë se 120 deputetë

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbreshë Krasniqi ka folur për media pas dështimit të seancës së 38-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Krasniqi tha se në takim me Kurtin, Limaj e ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që është bashkëbisedimi në tavolinë.

Ajo shtoi se Republika e Kosovës është përtej qëndrimeve individuale, dhe është më shumë se 120 deputetë.

“Të gjithë e dimë, se kryetari Limaj tash e 4 muaj ka deklaruar që zgjidhja e kësaj situatë në politikë dhe konstituim i Kuvendit të Kosovës bëhet vetëm në tavolinën e bisedimeve. Pa u ul, pa i diskutu temat, dhe pa i trajtu me sinqeritetin dhe me idenë që për me ia dhënë Republikës së Kosovës më të mirën, nuk bëhet zgjidhja”, tha Kasniqi.

Krasniqi ndër tjerash tha se është e bindur se në VV ka deputetë që janë të shqetësuar me këtë situatë. /Klankosova.tv


11:53 – Krasniqi: Për Kurtin dhe VV-në, as Gjykata Kushtetuese, e as aktgjykimet e saj nuk kanë kurrfarë vlere

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar pas dështimit të seancës së radhës konstituive.

Krasniqi tha se për kryetari e VV-së, Albin Kurtin, dhe deputetët e partisë së tij, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë vlerë, transmeton Klankosova.tv.

“Gazetarë, ju, dhe qytetarët që na kanë përcjellur janë bërë dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes kushtetuese me qëllim dhe vetëdije nga ana e Albin Kurtit dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionet që i udhëheq ai. Nuk është situata e njëjtë si para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai aktgjykim e ka bërë të qartë që nuk mund të ndryshohet rendi i ditës, aq më pak në mënyrë arbitrare, dhe insistimi i njëjtë sot, sikurse në seancat e kaluar,a i bie që për Albin Kurtin dhe VV-në, as Gjykata Kushtetuese, e as aktgjykimet e saj nuk kanë kurrfarë vlere”, tha ai.


11:46 – Haradinaj: Kurti nuk e ka qëllimin me zgjedh problem por vetëm me bë keq e më keq

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur pas dështimit të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj tha se situata është e vështirë, dhe se Kurti me kolegët e tij kanë ndarë mendjen për vështirësimin e jetës në Kosovë.

“Me u angazhu me u kthy procesi i votimit i hapur, sot provuam me reflektu këtë. Vërtetë është situatë e vështirë, shihet se Kurti dhe kolegët e tij e kanë nda menen me vështirësu jetën e Kosovës. Pra ua ka dhënë mundësinë Gjykata me u kthy në votim të hapur, ata nuk e respektojnë këtë. Është një situatë e rëndë. Po na ftojnë por po  e mbajnë të bllokuar procesin, ne propozuam që të kthehemi në kushtetutshmëri. Duhet me pa në të ardhmen si me vepru”, tha Haradinaj, transmeton Klankosova.tv

Haradinaj shtoi se “Kurti nuk e ka qëllimin me zgjedh problem por vetëm me bë keq e më keq”. / Klankosova.tv


11:39 – Lushaku-Sadriu: VV cenoi rendin kushtetues të Kosovës, s’e lejojmë

Deputetja e betuar e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu është deklaruar pas dështimit të radhës për konstituim të Kuvendit.

Ajo tha se nga VV-ja është cenuar rëndë rendi kushtetues i Kosovës, transmeton Klankosova.tv.

“Është cenuar rendi kushtetues i Kosovës, nga partia më e madhe me instruksione të deputetit Albin Kurti dhe me udhëheqje nga Dehari, u cenua qëllimshëm rendi kushtetues”, tha ajo.

Deputetja shtoi se nuk do ta lejojnë që rendi kushtetues dhe demokracia e Kosovës të cenohet nga një grup politik.

“Janë të papërgjegjshëm, nuk po e respektojnë as aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Me këtë shprehim indinjatën dhe shqetësimin e thellë se në çfarë situate ka ardhur Kuvendi, institucioni më i lartë legjislativ i Kosovës”, tha ajo.

Lushaku-Sadriu kërkoi po ashtu reflektim nga ana e VV-së.


11:33 – S’bën hajr as takimi i liderëve politikë – Kuvendi mbetet i pakonstituuar

Edhe seanca e 38-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës ka dështuar.

Pas takimit që kreu i VV-së, Albin Kurti mbajti me liderët e tjerë të partive politike, sot u prit ‘drita në fund të tunelit’, megjithëse saga e dështimeve po vazhdon, transmeton klankosova.tv.

Seanca e radhës do të mbahet pas dy ditësh, të martën, njoftoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.


11:30 – “Ktheju rendit të ditës”, Hykmete Bajramit i ndërpritet fjala nga Avni Dehari

Edhe deputetes së betuar të LDK-së, Hykmete Bajramit i është ndërprerë fjala në foltoren e Kuvendit të Kosovës.

“Zoti Dehari ktheu në rendin e ditës”, kaq iu lejua të thotë Bajrami, transmeton Klankosova.

Fjalën ia ndërpreu kryesuesi i seancës, Avni Dehari.


11:26 – Murati: Opozita po e bllokon procesin

Deputeti i betuar i VV-së, Hekuran Murati, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka qenë i gatshëm të ofrojë dy kompromise për zgjidhjen e ngërçit politik, por sipas tij, opozita vazhdon të jetë e ngulitur në qëndrimet e saj.

Ai shtoi se opozita ka refuzuar edhe ofertën për konsensus rreth emrave të përbashkët për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

“E keni parë të gjithë, Kurti ka qenë i gatshëm të ofrojë dy kompromise mirëpo e kemi parë që opozita insistojnë në diçka që as nuk është në Kushtetutë as nuk është shpallur kundër kushtetuese. Votimi i fshehtë edhe në aktgjykimin e ri konfirmohet si mënyrë për të dalë nga ngërçi. Vazhdojnë të jenë të betonuara në pozicionet e tyre, vazhdojnë të kundërshtojnë emra të përvetshëm, gjë që është absurde ku qytetarët kanë folur. Nëse duam të shkelim parimin që propozuesi e zgjedh emrin atëherë futemi në një spirale tjetër të bllokadave sepse do të duhej të dakordoheshin edhe emrat e nënkryetarëve. Opozita ka refuzuar një gjë të tillë, është ofruar konsensus të dakordojmë emrat dhe ti votojmë të gjithë pa i kontestuar njëri tjetrit emrat, opozita ka refuzuar”, theksoi Murati.


11:20 – Deputetja e PDK-së: Nuk bëj kompromis me votën e lirë, jam besnike e votuesve të mi

Deputetja e PDK-së, Kosovare Murseli, e ka mohuar çdo ofertë apo kontakt nga Lëvizja Vetëvendosje.

Murseli tha se përfshirja e saj në këtë temë ka qenë më shumë mediatike sesa reale.

“Ajo ka qenë më shumë tematikë mediale se sa që kam pasur oferta prej VV-së, kam cekur që është e padiskutueshme nuk bëjë kompromis me votën e lirë sepse jam zotuar me një parti dhe qëndroj besnike votuesve të mi. Është për keqardhje i ka humbur vlera dhe kuptimi Kuvendit, kjo bllokadë politike nuk i konvenon askujt, përveç Vetëvendosjes. Nuk më ka kontaktuar VV-ja dhe nuk i kam jap hapësirë”, tha ajo para mediave transmeton Klankosova.tv.

_______________________________________________________________________________________________________

11:18 – Kurti dhe deputetët e tij ende nuk arrijnë në sallën e Kuvendit

Deputetët e koalicionit Lëvizja Vetëvendosje – Guxo dhe Alternativa nuk janë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës për vazhdimin e seancës së 38-të me radhë.

Në mungesë të tyrë, ka edhe mungesë të korumit dhe nuk do të ketë vazhdim të punimeve në tentimin e sotëm

Gazetari Flamur Gajtani, i cili gjendet në hollin e Kuvendit njoftoi se nuk dihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim në mbarëvajtjen e kësaj seance. /Klankosova.tv


11:00 – Brahimaj: Kurtit po i zbulohen këmbët, interpretimi i tij për Kushtetuesen është mashtrim

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, e ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mashtrim publik dhe keqinterpretim të qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Brahimaj para mediave deklaroi se interpretimi i dhënë nga Kurti nuk përfaqëson realitetin ligjor, dhe se sipas tij, të gjitha partitë dhe mediat e kanë kuptuar qartë vendimin e Kushtetueses.

“Gjykata Kushtetuese e ka thënë shumë thjesht, nuk është vetëm qëndrim i Aleancës, por edhe mediat edhe gjitha partitë, e jo si e interpreton Kurti. Është një pabesi e tij edhe mashtrimit të tij po i zbulohen këmbët nga të gjithë,” deklaroi ai para mediave.


10:58  – Si pa shumicën, Haxhiu edhe e pa fjalë para gazetarëve

E propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për postin e kryetares së Kuvendit, ka arritur sot në ambientet e Kuvendit për të marrë pjesë në seancën konstituive.

Edhe pse kandidatura e saj deri tani nuk ka gjetur mbështetje nga partitë opozitare, Albulena Haxhiu nuk ka pranuar të komentojë asgjë para gazetarëve, transmeton klankosova.tv.

______________________________________________________________________________________________________

10:57 – Takimi i Kurtit me liderët e partive, Izmaku: U shfaq hipokrizi

Deputetja e betuar e Nisma-s, Xhevahire Izmaku ka komentuar takimin mes krerëve të partive politike, që u mbajt të shtunën.

“Takimi i djeshëm e konsideroj se e ka shpërfaqur edhe një herë nevojën për komunikim më të zgjeruar politik, por po ashtu mendoj se e ka shfaqur edhe një hipokrizi”, u shpreh Izmaku.

Ajo thotë se shpreson të prodhohet diçka tjetër nga ky takim, transmeton Klankosova.tv.

Izmaku shton se deputetët duhet të kenë kujdes se si të sillen në situata si në opozitë, si në pozitë, pasi sipas saj vjen një kohë kur nevojiten votat.

Ajo shtoi se zgjidhja e bllokadës është në duart e subjekteve të mëdha politike.


10:51 – Abdixhiku mbërrin në Parlament, thotë se do të deklarohet pas seancës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mburritur në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.

Para gazetarëve, ai tha shkurtimisht se do të deklarohet pas përfundimit të kësaj seancë, transmeton Klankosova.tv.

Të shtunën është mbajtur një takim mes krerëve të partive politike, i thirru nga kryetari i VV-së, Albin Kurti, për të gjetur një zgjidhje rreth ngërçit të krijuar.


10:43 – Bekë Berisha: Kurrkush s’e ka nijetin e mirë, po duket që ka me vazhdu bllokada

Pak para seancës konstituive, është deklaruar para medieve deputeti i betuar i AAK-së, Bekë Berisha.

Ai tha se askush nuk e ka qëllimin e mirë, e madje po duan që të vazhdohet bllokada në Kuvend, transmeton Klankosova.tv.

“Unë nuk i kam kuptuar këto versionet e shpjegimit të asnjërës palë, por duket që këto duan të vazhdojnë apet me bllokadë, s’e ka nijetin e mirë kurrkush këtu, ndoshta duhet me dalë me i prish do rregulla, me i qit në dinë”, u shpreh Berisha.

Ai thotë se disa deputetë po gënjejnë, madje dhe po takohen fshehurazi.

Tutje, Berisha shtoi se për vendin duhet të konstituohet Kuvendi i Kosovës.


10:45 – Garës për deputet i hyri vetëm, Fatmir Bytyqi me protestë para Kuvendit

Ish-kandidati i pavarur në zgjedhjet e 9 shkurtit, Fatmir Bytyqi ka protestuar para hyrjes së Kuvendit nga sheshi “Ibrahim Rugova”.

Në shenjë proteste, Bytyqi pra Kuvendit vendosi dy kuti njërën të bardhë, për votim të hapur dhe të zezën për votim të mbyllur.

Poashtu ai vendosi edhe një tabelë me mbishkrimin “Votim 3 në 1”.

Ndryshe, Fatmir Bytyqi në zgjedhjet e 9 shkurtit, mori fiks 121 vota.

_______________________________________________________________________________________________________

10:40 – Xhaferi: Zgjidhja bëhet me marrëveshje politike, pa inate

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Krenar Xhaferi, ka folur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Xhaferi para mediave tha se kur partia fituese nuk është në gjendje me zgjedh një ngërç politik, nuk është në gjendje edhe të qeverisë me vendin.

“Kjo nuk bëhet pa marrëveshje politike. Dhe marrëveshja politike bëhet me inate politike, por me pjekuri politike”, deklaroi Xhaferi para mediave.

Ai theksoi se edhe presidentja Vjosa Osmani, duhet të marr rolin e saj në funksion të gjetjes së një zgjidhje për dalje nga kjo situatë.

_______________________________________________________________________________________________________

Me fillim nga ora 11:00 sot do të zhvillohet vazhdimi i seancës konstituive të 38-të, ku pritet të mblidhen deputetët e zgjedhur.

Seanca që ishte planifikuar të mbahej të premten u shty për ditën e diel, pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, organizoi një takim me udhëheqësit e partive tjera politike. Ky takim, i cili zgjati më shumë se dy orë dhe u mbajt të shtunën, sipas raporteve të Klankosova.tv, nuk rezultoi me ndonjë marrëveshje.

Megjithatë, situata politike mbetet e paqëndrueshme ende pavarësisht thirrjes edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Ndiqni këtu të gjitha zhvillimet e fundit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.