Dështoi takimi mes Ramës dhe liderëve nga Maqedonia NULL NULL 17.05.2015 08:17 17.05.2015 08:17 Takimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama ka dështuar plotësisht me krerët e partive shqiptare të Maqedonisë, mëson nga burime partiake Agjencia e Lajmeve “Zhurnal”. Lajmi që po përhapet me shpejtësinë e internetit mbi këtë takim kaq të dëshiruar nga shqiptarët, duket se po i bën thjesht një favor elektoral kryeministrit të Shqipërisë, i cili ndodhet në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të 21 qershorit. Mësohet se takimi i së shtunës nuk ka shërbyer për unifikimin e faktorit politik shqiptar, siç mund të ishin pritjet e shqiptarëve, por përkundrazi, mësohet se ka shkaktuar ende më shumë përçarje dhe pakënaqësi. Kjo pasi përfaqësuesit shqiptarë të ftuar në takim nuk ishin njoftuar paraprakisht me agjendën dhe me emrat e pjesëmarrësve të tjerë, gjë që përveç “befasisë” që do t’i priste në Pogradec, do të shkaktonte edhe një incident. Mësohet se kreu i PDSH-së Menduh Thaçi ka braktisur takimin pasi kishin mbërritur krerët e partive joparlamentare, Ziadin Sela, Vesel Memedi dhe Bilall Kasami. Thaçi nuk ka pranuar të ulet në një tavolinë me krerët e partive më të vogla, pavarësisht këmbënguljes së kreut të qeverisë shqiptare që ai të qëndronte dhe të ishte pjesë e samitit. Kreu i PDSH-së është larguar, pasi siç mësohet Rama në takimet e mëparshme kokë më kokë me dy liderët shqiptarë, kishte deklaruar se nuk mbështet formimin e subjekteve të reja politike. Ndaj takimi në formatin e sotëm, me pjesëmarrjen edhe të partive më të vogla, është vlerësuar nga të pakënaqurit si “në kundërshtim me deklarimet dhe përcaktimet e Ramës dhe qeverisë së Tiranës që vota shqiptare në Maqedoni të ruhet unike dhe të mos copëtohet”. Sidoqoftë, me apo pa Thaçin, takimi ishte destinuar të dështojë. Takimit i mungonte agjenda, qëllimi dhe përmbajtja, ndaj dhe “gjithçka do të shkonte lëmsh”. Takimi do të mbaronte ashtu siç nisi, pa një rezultat konkret, konkluzion dhe mesazh politik, me përjashtim të efektit elektoral që Rama duket se e kapi për llogari të veta politike. / klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.