Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Deklarata e BE-së për vdekjen e Navalnyt nuk e merr mbështetjen e Serbisë

NULL NULL
29.02.2024 12:07
Navalny

Serbia nuk e ka mbështetur deklaratën e përbashkët të Bashkimit Evropian lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Aleksei Navaly.

Kështu raporton Radio Evropa e Lirë duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel.

Këtë deklaratë, në emër të BE-së e ka paraqitur përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Raportohet se vendet që nuk janë anëtare të BE-së kanë pasur afat deri më 28 shkurt që t’i bashkohen kësaj deklarate. Deri në atë datë, Serbia nuk është shprehur për këtë temë dhe kjo nënkupton që nuk e ka mbështetur të njëjtën. Me deklaratën e BE-së për vdekjen e Navalynt nuk është pajtuar as Turqia.

Burimet në Bruksel konfirmuan se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbështetën deklaratën e bllokut evropian, përmes së cilës presidenti rus, Vladimir Putin, mbahet direkt përgjegjës për vdekjen e kritikut të Kremlinit.

Serbia edhe në të kaluarën nuk ka përshtatur qëndrimet me politikën e jashtme të BE-së, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë. Përkundër thirrjeve nga BE, që secili shtet kandidat i cili synon integrimin në bllok të përshtatet me deklaratat dhe qëndrimet e BE-së, Serbia ka vazhduar t’i injorojë këto thirrje.

Serbia po ashtu nuk u është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës.

Ndryshe, Navalny, kritik i ashpër i Kremlinit, vdiq më herët gjatë këtij muaji në një burg në Arktik, ku po vuante një dënim të gjatë nën akuza për ekstremizëm.

Familja e tij, bashkëpunëtorët dhe shumë qeveri perëndimore e kanë fajësuar drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e Navalnyt.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.