Conor McGregor i kthehet kafazit pas një pauze të gjatë (FOTO/VIDEO) NULL NULL 18.01.2020 09:35 18.01.2020 09:35 Atleti i njohur i Arteve Marciale të Përziera, Conor McGregor, do të kthehet në kafaz pas një pauze që zgjati gati një vit e gjysmë. Dyluftimi i tij i fundit që u zhvillua më 7 tetor të vitit 2018, kundër kundërshtarit rus Khabib Nurmagomedov, rezultoi me humbjen e irlandezit dhe më pas me një përleshje masive në tetëkëndësh mes dy grupeve që ndodheshin aty për t’i mbështetur gladiatorët e tyre. Pas përleshjes, McGregorit i është dashur të ballafaqohet me Gjykatë për shkak se i njëjti është akuzuar për sulm dhe për shkatërrimin e telefonit të një tifozi, shkruan Klan Kosova. Kështu ai u ndëshkua edhe nga UFC – gjë që rezultoi me mosparaqitjen e tij në tetëkëndësh për një kohë të gjatë. Mirëpo ai tani do t’i kthehet kafazit dhe duket se është mjaft i përgatitur për këtë gjë. Të dielën ai do të ndeshet kundër amerikanit Donald Cerrone [i njohur si Kauboji], në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kujtojmë se McGregor është njëri prej sportistëve më të famshëm në botën e UFC-së për shkak të karakterit të tij prej rebeli, stilit inteligjent të luftimit si dhe stilit të jetesës. Ndeshja McGregor- Cerrone do të zhvillohet në orët e hershme të së dielës. klankosova.tv