Cilat janë të rejat para duelit Kosovë - Norvegji?

Cilat janë të rejat para duelit Kosovë – Norvegji?

NULL NULL
4 days më parë

Norvegjia dhe Kosova takohen sonte në duelin hapës të grupit C për parakualifikimet e Eurobasketit 2025.

Loja zhvillohet në Bergen të Norvegjisë dhe nis nga ora 19:00.

Kjo ndeshja do të dhe transmetohet direkt në Platformën Artmotion, në kanalin nr.84 në K-Sport1).

Në prag të përballjes me norvegjez, kampi i Kosovës ishte i bindur në fitore dhe këtë e deklaruan ekskluzivisht për ASISTIONLINE .

Kapiteni i Dardanëve, Dardan Berisha para nisjes së sfidës tha se ndihet shumë mirë dhe ka ushtruar maksimalisht para kësaj sfide në të cilën presin fitore.

”Ndihem shumë mirë, në fakt kam ushtruar normal me gjithë ekipin. Jemi gati për nesër do ta jap 100% që të fitojmë këtë ndeshje shumë me rëndësi për neve. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, shpresoj në një ndeshje shumë të fortë dhe besoj që do të dalim me fitore dhe të llogarisim për ndeshjen e rradhës që pastaj e kemi në Prishtinë”.

Për dallim nga lojtari i tij, selektori Marmarinos është shprehur më i rezervuar në prononcimin e tij para ndeshjes.

”Kemi pasur disa stërvitje, por jo së bashku sepse kishim disa lëndime. Edhe këtu kemi pasur disa stërvitje, jemi munduar të përgatitemi sa më mirë. Synimi ynë është si gjithmonë të luajmë për fitore dhe të krijojmë kulturë fitoreje e ti përfaqësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme kosovarët në të gjithë botën”.

Optimist i madh për fitoren e Kosovës, shprehet edhe mitrovicasi Drilon Hajrizi i cili tha se nëse ekipi e realizon planin të cilin e ka menduar para ndeshjes, fitorja do të vije natyrshëm.

”Unë po ndihem shumë mirë gjithashtu edhe stërvitjet kanë shkuar shumë mirë, kemi stërvitur me ekip në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj ti implementojmë ato të cilat jemi marrë vesh para lojës dhe shpresoj që do të dalim me fitore”.

Dëshira e madhe për ti ndihmuar Kosovës, bëri që Gëzim Morina të rikuperohet nga lëndimi dhe tashmë është gati për norvegjezët.

”Përkundër disa ditëve që nuk kam qenë i gatshëm të stërvis me ekipin. Tani qe dy ditë jam duke ushtruar normal dhe ndihem shumë mirë, sikurse une ashtu edhe gjithë bashkëlojtarët. Po mbretëron një atmosferë e mirë në ekip edhe mendoj që jemi të gatshëm për ndeshjen e nesërme. Shpresoj që nesër do ti gëzohemi fitores të gjithë së bashku”.

Erjon Kastrati i jashtëzakonshëm si gjithmonë, tha se është shumë i gatshëm dhe i motivuar për Kosovën.

”Më gëzon fakti që lëndimi apo shqetësimi qe e pata tash e disa ditë, tashmë është e kaluar. Jam duke ushtruar me ekipin normal, kështuqë jam shumë i motivuar dhe jam shumë gati për lojën nesër. Shpresojmë dhe natyrisht shkojmë për fitore dhe shpresojmë në rezultat pozitiv”

Fis Rugova që ishte i lënduar një kohë të gjatë, rikthehet sonte në parket për ti ndihmuar Dardanët që të arrijnë qëllimin.

”Momentalisht po ndihem shumë mirë, pas një pauze afër 4 javë. Tani jam rikuperuar plotësisht dhe besoj që do të jem në 100% tim kundër Norvegjisë”.

Asistenti i parë i Marmarinosit, Bujar Loci u ankua në fatin e keq që po e ka Kosova vazhdimisht kur po ka grumbullime, por që beson se do t’ia dalin.

”Unë mendoj që ky fat po na përcjellë gjithmonë, pra gjithmonë po kemi mungesa për shkak të lëndimeve. Por nëse i kryejmë të gjitha detyrat që i kemi aplikuar në stervitje, mendoj që kemi shanca reale me Norvegjinë të dalim faqebardhë, normal edhe me Danimarkën synojmë fitoren dhe kalimin në fazën tjetër”.

Të kujtojmë se edhe te Norvegjia ka pasur besim në fitore dhe në veçanti është prononcuar selektori i tyre Mathias Eckhoff i kënaqur me punën e lojtarëve të tij në përgatitje por nga ana tjetër nuk ishte i sigurt se sa të mirë janë mysafirët dhe si do të duket Norvegjia ndaj Kosovës për faktin se ka munguar disa vite në gara ndërkombëtare.

”Jam optimist por edhe i matur për sonte, por është e pamundur të japim shumë sepse nuk kemi dalë dhe nuk kemi luajtur ndeshje me kombëtaren qe një kohë të gjatë. Ne duhet të dalim dhe të luajmë dhe të shohim se si është dhe si e trajtojnë lojtarët tanë këtë ndeshje të parë e pastaj ti vlerësojmë”

Selektori i norvegjezëve si pikën më të fortë të tyre e sheh, fundorin ,Harald Frey i cili luan në Spanjë me ”Oviedon”, atje, ky djalosh ka një mesatare prej 17.7 pikësh për ndeshje. Lojtarë të tjerë të rrezikshëm te Norvegjia janë edhe Chris-Ebou Ndow i cili është norvegjezi i vetëm në histori që ka fituar një kampionat NCAA në SHBA. Si dhe Karamo Jawara, alo-qendër që luan në Spanjë te Girona në Ligën e parë. Realisht, Karamo ka qenë jashtë për një kohë shumë të gjatë me probleme me shpinën dhe ka pasur vetëm dy seanca stërvitore me Norvegjinë. Por natyrisht që Kosova duhet të shohë rrrezik nga ai, sepse luan në një nivel të lartë dhe vetë fakti se ka Marc Gasolin si shok skuadre në Girona do thotë shumë.

Kjo pritet të jetë pesëshja e parë e Kosovës:

Valon Bunjaku

Dardan Berisha

Erjon Kastrati

Drilon Hajrizi

Gezim Morina

Pesëshja e parë eventuale e Norvegjisë:

Stijan Mjoes

Harald Frey

Bouna Ndiaye

Chris Ndow

Karamo Jawara