Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çfarë thotë Memli Krasniqi për mbledhjen e qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës?

NULL NULL
02.06.2016 22:01

Një ditë përpara mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës e Shqipërisë, që zhvillohet të premten në Prishtinë, Memli Krasniqi, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, flet për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Ai ndalet në mundësitë e zhvillimit të bujqësisë në të dy vendet dhe rezultatet që japin takimet e përbashkëta të dy qeverive, të Tiranës e Prishtinës. Krasniqi sqaron për “Shekulli Online” edhe të ashtuquajturat “beteja tregtare” mes Shqipërisë e Kosovës.

Krasniqi e vlerëson mbledhjen e nesërme si ndikim në partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Mbledhjet e të dy qeverive tona tashmë janë kthyer në një praktikë dhe çdo herë organizohen me shumë seriozitet dhe përkushtim, e çfarë është më e rëndësishmja, po sjellin edhe rezultate të prekshme. Padyshim, si dy vende kemi bashkëpunim të vazhdueshëm, edhe në baza ditore, por takimet vjetore na kanë ndihmuar edhe më shumë që të krijojmë një agjendë të përbashkët, të shtojmë përgjegjësinë ndaj detyrave që marrim përsipër për zbatimin e projekteve të përbashkëta në funksion të avancimit të zhvillimit tonë ekonomik, të integrimit europian, por edhe të bashkimit tonë të natyrshëm kulturor. Edhe mbledhja e nesërme (e premte) do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në dinamizimin e bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe do të jetë një mundësi e mirë për të reflektuar mbi të arriturat apo edhe ngecjet nga mbledhja e kaluar e përbashkët e deri më tani”, ka thënë Krasniqi.

Lexoni më poshtë intervistën e plotë:

Sa me rezultat kanë qenë takime të tilla? Çfarë ka ndryshuar prej një takimi të ngjashëm në Tiranë disa muaj më parë?

Është shumë inkurajuese kur shohim se gjërat kanë lëvizur më shpejt në drejtim të lehtësimit të komunikimit dhe të bashkëpunimit tonë. Marrëveshjet që kemi nënshkruar në dy mbledhjet e kaluara janë zbatuar mjaft mirë dhe kanë dhënë rezultate konkrete. Në pothuajse secilën fushë ne kemi marrëveshje që po zbatohen dhe gjëra që janë konkretizuar në terren.

Unë mund të flas në këtë rast për sektorin e bujqësisë ku disa barriera ose keqkuptime që mund të kenë qenë në të kaluarën tashmë janë eleminuar. Ta zëmë, nuk kemi pasur më probleme me eksportin e rrushit, të vezëve apo të miellit të Kosovës për në Shqipëri. Ndërsa, Shqipëria ka rritur dukshëm eksportin e prodhimeve bujqësore në Kosovë, për shkak të lehtësirave që ne kemi zbatuar. Tani, ne presim që edhe produktet e Kosovës të jenë më prezente në tregun e Shqipërisë, duke qenë se ne kemi mundësi për të pasur një qasje komplementare në sektorin bujqësor dhe agro-ushqimor, edhe për shkak të dallimeve që ndërlidhen me klimën e të dy vendeve. Për këto dhe shumë çështje të tjera ne kemi bërë hapa konkretë dhe jam i lumtur për këtë, sepse na jep shpresë se marrëveshjet e së ardhmes do të kenë edhe më shumë rezultate.

Më konkretisht në fushën e bujqësisë dhe produkteve bujqësore, Shqipëria dhe Kosova japin përshtypjen sikur e “luftojnë” njëra-tjetrën. Cila është gjendja reale e marrëdhënieve në këtë sektor?

Realisht, kjo nuk qëndron. Faktet se Shqipëria ka rritur dukshëm eksportin në Kosovë dhe se kemi eliminuar shumë barriera që kanë qenë në të kaluarën, dëshmojnë për një përkushtim dhe angazhim për një treg të hapur dhe model edhe për vendet e tjera të rajonit. Gjithsesi, ne kemi ende punë për të bërë, por edhe sfida para nesh dhe mendoj se duhet edhe me shumë përkushtim. E përsëris se kemi shumë hapësirë për ta plotësuar njëri-tjetrin. Çfarë ne si institucione duhet të bëjmë është që të lehtësojmë komunikimin mes bizneseve tona, të eliminojmë barrierat dhe të lehtësojmë tregtinë ndërmjet tyre, pastaj janë vet sipërmarrësit ata që kryejnë punën më të rëndësishme në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë.

Çfarë propozimesh do të bëni ju për qeverinë e Shqipërisë në takimin e përbashkët për fushën e bujqësisë?

Të dy vendet po investojmë në bujqësi, si një sektor strategjik që gjeneron vende të reja pune dhe zhvillim ekonomik. Në periudhën e fundit vërtetë kemi shënuar disa të arritura të përbashkëta, për çka e vlerësoj edhe përkushtimin e homologut tim, Ministrit Edmond Panariti. Në këtë mbledhje ne nuk do të kemi një pikë konkrete për bujqësinë, meqë kemi nënshkruar një Marrëveshje të rëndësishme në mbledhjen e kaluar dhe jemi të fokusuar në zbatimin efikas të saj. Por gjithsesi, në vazhdimësi po përcjellim rrjedhën e bashkëpunimit, nevojat e zgjerimit të tij në të ardhmen dhe po diskutojmë bashkërisht për mundësitë e zbatimit të projekteve të përbashkëta, përfshirë harmonizimin e standardeve kombëtare të cilësisë për shumë produkte, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave ndërmjet fermerëve tanë, si dhe krijimin e mundësive më të mëdha të bashkëpunimit ndërmjet agrobinzeseve të të dy vendeve. Nuk është e thënë që gjithçka të varët nga një mbledhje vjetore e përbashkët, meqë komunikimi ynë është i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi ynë është duke u avancuar dita-ditës.

Çfarë mundësish kanë Shqipëria dhe Kosova për të hyrë në tregjet e BE-së me produktet bujqësore?

Ka disa javë që ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, një hap që shënon një etapë të re për ekonominë tonë. Evropa ka një bujqësi tejet të zhvilluar, por kjo nuk duhet të na dekurajojë, sepse ne duhet që ta kërkojmë vendin tonë në tregun evropian. Ne kemi produktet tona unike, kemi përparësitë krahasuese si dy vende për produkte të caktuara, por kemi edhe rrëfime jashtëzakonisht të suksesshme të depërtimit në tregun evropian të prodhimeve nga Kosova dhe nga Shqipëria. Unë mendoj se para së gjithash, pika kryesore ku ne duhet të vazhdojmë punën është rritja e prodhimtarisë për të siguruar një prodhim të konsiderueshëm për tregjet tona, në veçanti për produktet që vazhdojmë t’i importojmë e për të cilat kemi potencial prodhues. Por, gjithashtu, fokusi duhet të jetë edhe në ngritjen e vazhdueshme të cilësisë dhe arritjen e standardeve, bashkë edhe me promovimin e prodhimeve tona, meqë këto dy elemente e përcaktojnë në masë të madhe shitjen e produkteve, në veçanti në tregun evropian.

Si i trajton Kosova skemat mbështetëse për sektorin e bujqësisë? Sa fonde jepen në këtë drejtim?

Bujqësia është ndër prioritetet kyçe të Qeverisë së Kosovës. Në shtatë vitet e fundit, por në veçanti nga viti i kaluar, është rritur dukshëm buxheti për bujqësi. Vitin e kaluar si ministri kemi ndarë 43 milionë euro në skemat mbështetëse për fermerët, në grante investive dhe në pagesa direkte apo subvencione. Kjo ka sjellë rezultatet të mira, duke rritur prodhimtarinë dhe sipërfaqen e tokës së punueshme, hapjen e dhjetëra fermave të reja, hapjen e rreth 2500 vendeve të reja të punës në bujqësi si dhe rritjen e eskportve bujqësore. Ndërsa, sivjet kemi planifikuar 46 milionë euro për grante dhe subvencione dhe presim që rezultate të jenë edhe më të mira se vitin e kaluar, përfshirë rreth 3000 vende të reja punë në bujqësi.

Janë afër 40 kultura dhe aktivitete bujqësore që mbështesim çdo vit përmes pagesave direkte dhe një total prej rreth 30 mijë fermerësh përfitues anë e kënd Kosovës. Nuk duhet harruar se mbështetja jonë shtrihet edhe në nivele të tjera që lidhen me edukimin dhe këshillimin e fermerëve, si dhe me avancimin e infrastrukturës ligjore, gjë që po e lehtëson më shumë punën e fermerëve dhe agrobizneseve. Buxheti i ministrisë është burimi kryesor, por jo i vetëm i mbështetjes, sepse tashmë edhe komunat po i japin një rëndësi më të madhe bujqësisë dhe njëkohësisht edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, si Bashkimi Evropian, Banka Botërore, USAID amerikan, GIZ gjerman dhe agjenci zhvillimore të shteteve të tjera mike, për çka jemi shumë mirënjohës.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.