Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike pritet të jetë unike NULL NULL 21.07.2021 17:12 21.07.2021 17:12 Harrojeni koreografinë masive, rekuizitat e mëdha, valltarët, aktorëve dhe dritat të cilët shoqërojnë ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike. Hapja madhështore e Tokios të premten nuk do të ketë asgjë nga ajo që janë mësuar njerëzit t’i shohin. Në vend të kësaj do të jetë një shfaqje e zvogëluar, “e matur”, i tha Reutersit në një intervistë Marco Balich, producent ekzekutiv i ceremonisë të hapjes dhe tani një këshilltar i lartë i producentit ekzekutiv të ceremonisë së Tokios, përcjell Klankosova.tv. “Do të jetë një ceremoni shumë më e qetë. Sidoqoftë me estetikë të bukur japoneze. Shumë japoneze, por edhe në sinkron me ndjenjën e sotme, realitetin,” tha Balich, i cili ishte përgjegjës i Olimpiadës së vitit 2016 në Rio de Janeiro. “Ne duhet të bëjmë më të mirën tonë për të përfunduar këtë Olimpiadë unike dhe shpresojmë të vetmen në llojin e saj.” Rastet në rritje të COVID-19 në Tokio kanë hedhur një hije të madhe mbi një ngjarje që vetëm ishte shtyrë vitin e kaluar për shkak të situatës me pandeminë. Ndërsa sakrifica që këto lojëra të vazhdojnë është që nuk do të mbahen me shikues nëpër stadiume, raporton Reuters. Japonia këtë muaj vendosi që pjesëmarrësit të konkurrojnë në stadiume bosh për të minimizuar rreziqet shëndetësore. Deri më tani ka pasur 67 raste të infeksioneve me COVID-19 në Japoni midis atyre të akredituarve për Lojërat që nga 1 korriku, kur shumë atletë dhe zyrtarë filluan të mbërrinin. Kjo ka ndikuar edhe në ceremoninë e hapjes, me jo të gjithë atletët e pranishëm në paradën e ekipeve pasi shumë fluturojnë pak para garave të tyre dhe largohen pak më vonë për të shmangur kontaktet sa më shumë që të jetë e mundur.