Çerekfinalet e “Play-off”-it: Ylli kërkon gjysmëfinalen, Peja për mbijetesë në seri NULL NULL 14.04.2026 16:19 14.04.2026 16:19 Të mërkurën mbrëma zhvillohet një nga përballjet më vendimtare të çerekfinaleve në Superligën e Kosovës në basketboll. Nga ora 20:00, në palestrën “Karagaçi”, Peja e pret Golden Eagle Yllin në ndeshjen e dytë të serisë. Skuadra nga Suhareka vjen me epërsi 1-0 pas fitores në takimin e parë dhe është vetëm një hap larg sigurimit të gjysmëfinales, ku e pret Trepça. Një tjetër triumf do ta mbyllte serinë që në ndeshjen e dytë. Në anën tjetër, pejanët hyjnë në këtë sfidë me objektiv të qartë, barazimin e serisë dhe shtyrjen e saj në ndeshjen vendimtare të tretë. Ndërkohë, të enjten nga ora 19:30, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, zhvillohet dueli tjetër çerekfinal mes Sigal Prishtinës dhe Borës. Bora ka bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales pas një fitoreje bindëse në ndeshjen e parë dhe konsiderohet favorite për ta mbyllur serinë me dy ndeshje. Fituesi i kësaj përballjeje do të ketë përballë në gjysmëfinale Bashkimin e Prizrenit, duke premtuar një tjetër duel të fortë në fazën vendimtare të kampionatit./Klankosova.tv