17:37, 19 Qershor 2019

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se sjellja e opozitës në vend është pengesë shtesë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, në tetor, BE do të shkojë drejt një vendimi pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ai ka thënë se është fitore e Shqipërisë, që në raportin e Komisionit të Evropës s’është marrë parasysh situata aktuale politike në Shqipëri.

“Vendet anëtare të BE dënojnë sjelljen e grupacioneve politike në Shqipëri, por nuk thonë se kjo sjellje do ta deprivojë Shqipërinë nga mundësia për hapjen e negociatave. Por natyrisht që klima aktuale politike në Shqipëri, nuk i kontribuon gjasave pozitive për hapjen e negociatave në tetor”, u shpreh ai.

I pyetur nëse mund të kthehet në penalizim situata aktuale politike në Shqipëri, Cakaj u përgjigj: “Nuk mund të përjashtohet. Me rëndësi që vendet anëtare të jenë të ndërgjegjshme që agjenda progresive e qeverisë së Shqipërisë do të vijojë pavarësisht situatës së brendshme dhe sabotimit politik të opozitës. Nëse kjo do të manifestohet është një gjë që do ta shohim. Aktualisht dua të theksoj tre elementë se përse sjellja e opozitës nuk është në favorin e agjendës evropiane të Shqipërisë:

E para, kjo sjellje nuk i kontribuon imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë; E dyta kjo sjellje ndikon drejtpërdrejtë në dinamikën e reformave që Shqipëria duhet realizojë; E treta nuk është kontribuuese për gjasat e shtura për hapjen e negociatave në tetor. Mënyra se si po zhvillohet situata politike në Shqipëri, jo vetëm që është sulm ndaj qeverisë dhe rendit kushtetues është në fakt edhe një sulm i agjendës evropiane të Shqipërisë”, tha Cakaj, raporton tch.

Konkurs Pune

Lexo më shumë