Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

BE: Mosnormalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi po i mban të dyja palët larg Unionit

NULL NULL
17.12.2025 21:51
Foto familjare pas samitit BE-Ballkani Perëndimor. Foto: AP

Bashkimi Evropian ka vlerësuar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën e tyre evropiane, thuhet në Deklaratën e Brukselit të miratuar në Samitin BE–Ballkani Perëndimor

Në deklaratën e lëshuar pas samitit, theksohet se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen.

“Në mungesë të një normalizimi të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të dy partnerët mbeten të penguar në rrugën e tyre evropiane”, thuhet në dokument, duke theksuar se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të zbatohen, në veçanti Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksi i saj, raporton Klankosova.tv.

BE-ja bën të ditur se “mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet me angazhim konstruktiv dhe përparim të matshëm në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.

Ndër të tjera, u tha se BE-ja dëshiron t’i lidhë shtetet e Ballkanit Perëndimor më ngushtë me veten.

Lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës dhe sfidat gjeopolitike në rritje nënvizojnë nevojën për marrëdhënie gjithnjë e më të ngushta, sipas deklaratës së përbashkët nga 27 shtetet e BE-së dhe pesë shtete të rajonit pas një takimi të samitit në Bruksel.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në Bashkimin Evropian”, u tha në deklaratë.

Deklarata u miratua nga BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në fund të dokumentit theksohet se Serbia nuk është harmonizuar me këtë deklaratë, meqë askush nga përfaqësuesit e saj nuk mori pjesë në samit. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme