BDI: Jemi më kompakt se kurrë - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

BDI: Jemi më kompakt se kurrë

NULL NULL
04/10/2015

Formimi i “Unitetit” dhe largimi i disa funksionarëve nga BDI-ja, sipas zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, dëmton më shumë votën shqiptare për shkak të fragmentimit të votës, se sa vetë BDI-në. Sipas Osmanit, në BDI nuk ka përçarje dhe nuk bëhet fjalë për fraksion por për subjekt të ri politik. Ai madje nxiti “Unitetin” dhe partitë e tjera opozitare që të formojnë bllok opozitar dhe të shmangin ndarjen e votës.
“Ne nuk mund të pengojmë asnjë anëtar të BDI-së i cili mendon se në një subjekt të ri mund të realizohet ose të realizojë më shumë. Në BDI nuk ka përçarje, BDI-ja është më kompakte se kurrë. Ashtu siç thanë edhe nismëtarët, bëhet fjalë për një subjekt të ri. Ajo çfarë pengon është fragmentimi i skenës politike shqiptare, ku shqiptarët do të dalin të përçarë në zgjedhje dhe e dobëson pozicionin e tyre në shtet. Andaj ne nuk jemi kundër partive të reja. Ne jemi kundër asaj që ata të dalin të ndara dhe të përçara në zgjedhje dhe me këtë ne i nxisim që ata të bashkohen në një bllok dhe të dalin me një listë të përbashkët”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, në një deklaratë për televizionin Alsat-M.

Osmani nuk deshi të komentonte paralajmërimet se edhe emra të tjerë të zëshëm do të kalojnë nga BDI-ja në opsionin politik të udhëhequr nga Gëzim Ostreni.

“Unë nuk mund të flasë në emër të askujt. Thash se ne nuk mund të pengojmë asnjë anëtar të partisë, i cili mendon se në një subjekt të ri politik mund të realizohet më shumë”, deklaroi Osmani.

Megjithëse u përfol në media për kalimin e disa anëtarëve të BDI-së te “Uniteti”, kjo gjë nuk ndodhi veçse me dy anëtarët e BDI-së, Ostreni dhe Adili. Ndërsa, këta të fundit dje nuk e përjashtuan mundësinë e bashkëpunimit edhe me BDI-në, nëse një gjë e tillë do të vlerësohet e nevojshme.