“Babai e ka marrë vesh që djali i ka gishtat e prerë tek mas tre jave” (VIDEO) NULL NULL 25.03.2026 22:44 25.03.2026 22:44 Babai i pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit, i cili u gjet në gjendje të rëndë shëndetësore nga halla dhe gruaja e xhaxhait të tij, në polici ka deklaruar se punon gjithë ditën dhe nuk e ka vërejtur që fëmija ka probleme shëndetësore apo ka nevojë për trajtim urgjent tek mjeku. Avokati Zyfer Aliu, i cili po e përfaqëson babanë në këtë proces, ka deklaruar se si rast është i çuditshëm. Për gazetaren e emisionit MAT në Klan Kosova, Blerta Ahmeti, ai ka treguar se ka rreth tre javë që babai kishte vërejtur se diçka nuk ishte në rregull me fëmijën pesëvjeçar. “Aliu: Është rast i çuditshëm pak, ajo tashmë është bërë publike dhe s’ka çka mshefet, s’ka çka kamuflohet absolutisht. Unë gjithnjë po flas për thëniet e të mbrojturit tim sipas detyrës zyrtare. Ai është një njeri i cili ka deklaru në polici se shfrytëzon ndihmat sociale, janë familje e varfër. Pastaj, merret me disa punë fizike, punë krahu. Kryesisht prenë dru në pyll, etj, etj”. “Ai, sipas tij, del në mëngjes, kthehet vonë në mbrëmje, që do të thotë se ja ka lënë bashkëshortes komplet kujdesin për familje. Edhe sipas fjalëve të tij, gjithnjë, ai e ka marrë vesh që djali i ka gishtat e prerë tek mas tre javë dite, sipas thënieve të tij, edhe më shumë nuk deklaron”. Gazetarja: Qysh pas tri javë dite, se nuk po kuptoj? “Aliu: Tre javë ditë, sikur nga dita kur ju kanë pre gishtat”. Gazetarja: Qysh e ka konstatu ai atë rrethanën tre javëshe, qysh e ka sjellë atë tre javëshin në pah? Ka pasë fëmija naj simptomë, ka vërejtë diçka? “Aliu: Nuk e ka elaboru më shumë, dhe kështu ka deklaru, mas tre javë dite e kam vërejtë që kur e kanë marrë pastaj e kanë çu te mjeku, e kanë marrë Qendra për Punë Sociale, edhe rrëfimi i tij, për djalin aty mbaron”. Gazetarja: Ky, po deklaron që i janë pre gishtat? “Aliu: Po ai, me saktësi nuk deklaron, as ai. Sepse është rast i çuditshëm, mësim edhe për medie, edhe për avokatë edhe, edhe ne, po e them me përgjegjësi të plotë, po mësojmë edhe në këtë moshë edhe në këto rrethana, edhe pas sa viteve përvojë pune, qysh një prind, nuk kujdeset për fëmijën e vet ose i len plotësisht jashtë, i len pas dore. Edhe gishtat e prerë, me tri javë ditë vonesë merret vesh nga prindi, merre me mend”! Gazetarja: Këtë çështjen e tre javëshit, për herë të parë po e dëgjoj, prandaj thash, me çka e ka sjellë, në çka është bazu që e ka sjellë në pah këtë afat kohorë? A është bazuar në ndonjë simptomë të fëmijës, apo ndonjë sjellje të fëmijës, apo të gruas, apo me çka e ka specifiku ‘rreth tre javë’, sepse ka mund të thotë tre ditë, ose një muaj, ose dy muaj? “Aliu: Sjellje ose kërkesë të fëmijës, jo, në bazë të intervenimit të fëmijës, po supozoj, ndonjë kërkese. Nga raporti me gruan, sigurisht po. Nuk e ka thënë specifikisht, nuk e ka thënë specifikisht. Ne kemi aludu për pranim të fajësisë, me qenë bashkëpunues me organe, për hirë të ndriçimit të së vërtetës, si person që pranon fajësinë i gëzon benefitet ligjore, është rrethanë lehtësuese e krejt ato, ai më shumë nuk deklaron, këto i ka thënë krejt”. Gazetarja: A nuk të ngjalli kureshtje ty fakti qysh e vuri në pah këtë afatin tre javorësh, kur e ka kuptu që fëmija qenka lëndu, pas tre javësh e ka marrë vesh. Sepse është pak e çuditshme si narracion? “Aliu: Unë reagova për aq sa më takon, sepse për mua ishte diçka e pa imagjinueshme me dalë herët në mëngjes, në 5-6 e me u kthy në 10 në mbrëmje. Se edhe nëse prenë dru, çfarë dru prenë në ora 22 ose 21, ose 20, kur errësirë e plotë është, etj, etj, por stili i jetës së tij me një mënyrë që ai qashtu e ka perfeksionu atë punë. Sikur te shtëpia kujdeset bashkëshortja edhe për të, krejt “ora 12”, qysh thuhet për një tip të temperamentit”, ka treguar Zyfer Aliu, avokat i babait të pesëvjeçarit nga Janjeva. Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, që të dy prindërit të dërgohen në paraburgim për 30 ditë, për shkak se dyshohet se të dy kanë kryer veprën penale Shkelja e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”. Kërkesë kjo e cila është aprovuar nga Gjykata. “Gjyqtarja e procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit është e bazuar, andaj aprovoj kërkesën e PTHP-së, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P, ashtu që të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan. /Klankosova.tv