Avokati Qerkini: Gjykata Speciale ka bërë shkelje ligjore dhe kushtetuese me ish-ushtarët e UÇK-së NULL NULL 28.10.2020 21:54 28.10.2020 21:54 Avokati Artan Qerkini po thotë se Gjykata Speciale ka shkelur edhe ligjet edhe Kushtetutën. Ai tha se ish-ushtarët e UÇK-së i detyroi të dërgojnë prova që do t’ia përdorte kundër tyre dhe kjo u bë kundër ligjit, njofton Klan Kosova. “Rregullat e procedurës dhe provës dallojnë substancialisht nga kodi i procedurës penale të Kosovës dhe është tërësisht një sistem i ri sepse është një kombinim mes atij anglo-amerikan dhe europian. Aty zbatohet procedura që është ndjekur në Gjykatën e Hagës. Por, ka pasë shkelje profesionale. Unë vetë kam reaguar ndaj një rasti që ka qenë kryekëput kundërkushtetues me të cilin u obligonin të gjithë të ftuarve që me vete të sjellin dokumente, shkresa dhe fotografi në lidhje me veprimtarinë e tyre në UÇK. Ato prova që ata do t’i dërgonin potencialisht do të mund t’i inkriminon në vepër penale. Pra, është një trik i përdorur për t’ia lehtësuar vetes punën dhe për me sjellë para vetes prova të pakontestueshme, sepse i paraqet vetë. Kjo ka qenë shkelje e prezumimit të pafajësisë dhe shkelje e barrës së provës, sepse atë e ka prokuroria. I pandehuri e ka obligim vetëm të paraqitet dhe asnjë tjetër”. Por, ku u shkel Kushtetuta sipas Qerkinit? “Po ashtu, sot ia kam drejtuar një letër administratorës pasi që të gjitha vendimet gjyqësore, të gjitha parashtresat, vetëm 30-40 për qind janë të përkthyera në gjuhën shqipe. Ne e dimë që gjuhë zyrtare në bazë të Kushtetutës është shqipja dhe serbishtja, pra është shkelje kushtetuese”. Qerkini në Rubikon tha se publikimi i aktakuzës pa u konfirmua ishte e kundërligjshme dhe pikërisht kjo shkaktoi edhe amullinë e tanishme që s’po dihet se çka po ndodhë me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së Kadri Veseli. “Ai publikim i kundërligjshëm ka sjellë gjithë këtë situatë para një absurdi të madh sepse ka publikuar diçka që s’është dashur dhe s’po publikon diçka që s’ka pengesa ligjore – ta bëjë publike nëse është konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit.”. “Absurditeti i gjithë kësaj është se Gjykata po publikon diçka që e ka pasë të ndaluar ta publikojë sepse nëse dikush e pengon punën e saj, duhet të merren masa të tjera. Publikimi i aktakuzës nuk është masë që duhet të përdoret me qëllim që të pengohet puna e gjykatës, por janë masa të tjera që duhet ndërmarrë. Këtë e kanë bërë për arritjen e ndonjë efekti politik, sepse s’mund të ketë argument juridik, ngase veprimi s’përkon me rregulloren. Nëse vendimi nuk është juridik mund të ketë efekte politike duke marrë parasysh se është goditur presidenti dhe një kryetar i një partie “. Qerkini gjithashtu shtroi pyetjen se nëse nuk ka të bëjë me qëllim politike, atëherë pse nuk iu publikuan edhe emrat e të tjerëve që ishin në listë bashkë me Thaçin dhe Veselin. “Me rregullore parashihet që Gjykata apo gjyqtari i procedurës paraprake të ketë mundësi që të mos e bëjë publike vendimin për publikim të aktakuzës, por pengesa ligjore nuk ka. Pra, jemi në një situatë ku qytetarët presin qartësi”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.