ATRC i kërkon MSH-së të hartojë listë të sëmundjeve profesionale NULL NULL 28.04.2023 14:49 28.04.2023 14:49 Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë për avancim të politikave të shëndetit në punë dhe garantim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve. Kërkesa e kësaj qendre vjen me rastin e Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë. ATRC thotë se këtë vit, Kosova e shënon këtë ditë në një gjendje mjaft të rëndë të të punësuarve, në kuptim të realizimit të të drejtave nga marrëdhënia e tyre e punës. Shqetësues, sipas ATRC-së, mbetet fakti i numrit të madh të aksidenteve në vendet e punës, qofshin ato që përfundojnë me lëndime të rënda, apo ato me fatalitet. “Sipas të dhënave zyrtare nga Inspektorati i Punës, 15 të punësuar kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës vetëm në vitin 2022. Fatkeqësisht, kjo çështje shihet vetëm si statistikë, dhe atë statistikë jokorrekte, sepse është evidente që kemi diskrepancë të thellë në mes statistikave të institucioneve të ndryshme lidhur me numrin e aksidenteve në vendin e punës që përfundojnë me humbje jete. Përkundër premtimeve dhe paraqitjeve publike të përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, që do t’i marrin me prioritet të drejtat e punëtorëve, fatkeqësia e humbjeve të jetës të të punësuarve po rritet çdo vit”, thotë kjo qendër, raporton Klankosova.tv. Sipas ATRC-së, paralelisht me situatën jo të mirë të sigurisë në punë, njëjtë qëndron dhe fusha e shëndetit në punë. Madje sipas tyre, situata me shëndetin në punë vazhdon të mbetet e parregulluar juridikisht dhe e pazbatuar praktikisht. “Ligji Nr. 04/L-125 për Shëndetësi thekson dhe trajton mjekësinë e punës vetëm sipërfaqësisht, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ende të themelojë dhe funksionalizojë ndonjë institut të mjekësisë së punës i cili do të merrej njëmendësisht me studime dhe hulumtime të sëmundjeve profesionale që lidhen me punën, por vetëm të tilla që më shumë konsiderohen si institucione të zakonshme shëndetësore që diagnostikojnë dhe ofrojnë shërbime shëndetësore”. “Madje, Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur ende ta hartojë dhe fuqizojë listën e sëmundjeve profesionale, ndërkohë që këtë e kanë bërë vendet e rajonit dhe punëtorët gjithnjë e më shumë largohen në vende me kushte më të mira të punës. Mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional vërehet edhe në kuptim të regjistrimit dhe analizimit të të dhënave që lidhen me aksidentet në punë, apo edhe sëmundjet profesionale dhe që lidhen me punën”, theksoi ATRC në reagimin të cilit i janë bashkëngjitur edhe rreth 30 OJQ e sindikata të ndryshme. Në reagim thuhet më tej se ka një zbrazëti të rregullimit të politikave në këtë fushë, të mosidentifikimit të sëmundjeve profesionale, si dhe mungesë të databazës për regjistrimin e rasteve të aksidenteve në punës. Andaj, këto organizata e sindikata kërkuan nga MSH-ja që të iniciohet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësinë duke i dhënë një vëmendje të veçantë shëndetit në punë. Rrjedhimisht, ato kërkojnë që me ligj të themelohen institutet e mjekësisë së punës, duke iu përcaktuar qartë detyrat e punës dhe mandatin. Këto institute, sipas këtyre OJQ-ve e sindikatave ndër të tjera duhet të kenë për mandat themelor hulumtimin e studimin e sëmundjeve profesionale që lidhen me punën, si dhe të ofrojnë shërbime të mjekësisë së punës në nivel të Republikës së Kosovës dhe të mos marrin rol vetëm diagnostikues sikur të ishin qendra diagnostikuese. Në fund, këto organizata thanë se është shumë e nevojshme të artikulohet dhe fuqizohet lista e sëmundjeve profesionale, si dhe të krijohet një bazë e të dhënave, ku do të regjistroheshin të gjitha rastet e sëmundjeve profesionale në Republikën e Kosovës. “Përderisa nuk ekzistojnë hapa konkretë për përmirësimin e situatës në fushën e shëndetit në vendin e punës dhe në aspektin e mirëqenies, punëtorët janë ata të cilët po pësojnë më së shumti, rrjedhimisht po largohen nga vendi në kërkim të kushteve më të mira të punës”, thanë 30 OJQ-të dhe sindikatat e poshtëshënuara. /Klankosova.tv Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe Federata e Sindikatës së Pavarur për Komunikacion dhe Lidhje të Kosovës (SPKLK), Gratë për Gratë e Kosovës (KW4W), Grupi Avokues i Kosovës (KAG), Iniciativa Kosovare për Stabilitet – IKS, Instituti Cilësor për Hulumtime, Analiza dhe Trajnime – “iCHAT”, Instituti Demokraci për zhvillim (D4D), Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Nevo Koncepti (NVK), Oda e Hotelerisë dhe Turizmit (OHT), Oda ndërkombëtare e të rinjëve Prizren (JCI Prizren), OJQ EDUCO, OJQ Green Energy Kosova, OJQ Gruaja Hyjnore, OJQ Handikos Gjakovë, OJQ Iniciativa për Zhvillim Lokal (IZHL), OJQ Instituti për Qëndrueshmëri dhe Zhvillim të Rinisë (ISDY), OJQ ZANA, PEN – Peer Educators Network, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Qendra Kosovare për Vetë-përkrahje (QKVP), Qendra Për Politika dhe Avokim (QPA), Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN), Shoqëria për Zhvillimin e Edukimit dhe Ndërmarrësisë (SEED), Sindikata e Pavarur e Punëtorëve IPKO (SPPI), Sindikata e Pavarur e Pylltarisë, Bujqësisë, Industrisë së Drurit, Mjedisit dhe Gjuetisë (SPPBIDMGJK) Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK), Sindikata e punëtorëve të Aeroportit Limak Kosova, Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës (SSHCK), Solidar Suisse në Kosovë. Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Rezervoi bileta pa asnjë cent, Mërgim Gashi kthen borxhin pas hulumtimit të Kiks Kosova (VIDEO) 03/07/2025