Ata i ndjejnë humbjet dhe fitoret më shumë se të gjithë NULL NULL 07.09.2024 16:59 07.09.2024 16:59 Sa herë që Vëllaznimi ka ndeshje në Gjakovë, Drilon Bardhi përballet me rutinën e njëjtë. Kur akrepat e orës kalojnë tek zona e pasdites, ai ballafaqohet gjithmonë me një “alarm” mbi kokë. Djali i tij, vetëm 5-vjeçar, i rreket minutë e sekondë për t’u ngutur që të shkojnë në hollin e sporteve. Të dy, veshur me ngjyrat kuq e zi, nisen drejt palestrës “Shani Nushi”. Rrugës përshëndeten me të gjithë, pasi babë e bir tashmë janë të njohur si tifozë unikë të Vëllaznimit. Drilon Bardhi me djalin e tij Ajanin duke mbështetur Vëllaznimin Ndonëse nuk e kupton aq shumë atë që thuhet në të, por vargjet e këngës së Ilir Shaqirit “Gjakovë lulja e gjakut” i di përmendësh, nga fillimi në fund. Bile damarët në qafë i vizatohen sa herë Ajani i vogël i nxjerr fjalët me krejt fuqinë nga goja, duke brohoritur. Për Drilonin, që është rritur duke mbështetur klubet e qytetit, sikur po përsëritet historia e tij, që kur ka qenë fare i vogël. Andaj ajo që po ngjan tani me djalin e tij, Bardhit i jep vetëm kënaqësi. “Unë, familjarë të mi, kushërinj e shoqëri, gjithmonë kemi frymuar për Vëllaznimin, si në futboll, ashtu edhe në basketboll”, shprehet “Drila”, siç e njohin në Gjakovë. Viteve të fundit, skuadra e basketbollit nga Gjakova ka qenë arrë e fortë për shumë kundërshtarë të Prince Caffe Superligës, kurse sivjet Driloni pret që Vëllaznimi të paraqitet edhe më fort, duke nisur nga Superkupa që nis më 7 shtator në Prizren. “Nga ardhjet e ‘bujshme’ jam i kënaqur, por më shumë jam i kënaqur që vendorët i kemi më cilësorë se vitet e kaluara”, thotë tifozi gjakovar. Ai është i bindur se që në turneun e Superkupës, ekipi gjakovar do të lë shenjë. “Jashta tifozerisë, mendoj që Prishtinën do ta eliminojë Vëllaznimi, skuadrën time të zemrës e shoh si një surprizë të bukur në Superkupë”, shprehet Drila, duke potencuar madje se me përkrahjen masive të të gjithë gjakovarëve, Vëllaznimin e shikon në top-katërshen e Superligës. Besimi i beson Trepçës Rutinën ditore, Besim Xhemajli e ka të lidhur me krenarinë mitrovicase, ndërmarrjen “Trepça”. Por, krenarë ai dhe bashkëqytetarët nga qyteti verior i Kosovës, padyshim se e kanë edhe klubin e basketbollit që e mban emrin e njëjtë. Trepça i gëzoi jashtë mase në edicionin e kaluar të garave, duke triumfuar në thuajse çdo kompenticion ku garoi. Xhemajli shpreson që kjo rrugë të vazhdohet edhe tani, duke nisur nga Prizreni, pasi skuadra hyn me epitetin e favoritit. Por për të, me investimet e fundit në të gjitha klubet, ka edhe disa ekipe shumë të forta sivjet. “Përderisa janë ndeshjet e para për këtë edicion, është e vështirë të përcaktohet kundërshtari më i fortë. Mirëpo, bazuar në atë se çfarë kanë sjellë ekipet gjatë verës në kampin e tyre, unë e shoh Bashkimin dhe Pejën si potencial në finale. Gjithsesi, nuk e anashkaloj as Golden Eagle Yllin që çdo herë është gati për befasi”,thotë Besimi, sipas të cilit mungesa e kapitenit Drilon Hajrizi do të vërehet te Trepça. Besim Xhemajli, tifoz i Trepçës në emisionin “Asist” në Klan Kosova “Kjo është njëra prej arsyeve që Trepça është shumë e hendikepuar dhe mund të jetë faktor krucial që do ta determinojë fitoren e triumfit për ‘xehetarët’. Kjo njëherësh është edhe një test për Adis Beçiragiqin që ta dëshmojë veten nëse ka arritur të krijojë kiminë e skuadrës pa lojtarin kryesor vendor në ekipin e tij”, përfundon prononcimin për Klan Kosova, tifozi që çdo ndeshje të Trepçës gjendet në palestër. Frizeri që lë punën për pasionin Lokali ku punon si frizer, ndodhet përball stadiumit të qytetit, kurse palestrën “13 Qershori” e ka vetëm edhe pak metra më larg. Arti Shala, tifoz i zjarrtë i Golden Eagle Yllit, jo rrallë herë e ndërpret punën para orarit, që të rreshtohet krah bashkëqytetarëve për ta përkrahur ekipin e basketbollit. “Unë e kam fatin që edhe kolegët në punë, duke përfshirë edhe pronarët e biznesit, janë të pasionuar pas sportit, veçanërisht Ballkanit dhe Yllit. Ne jetojmë për klubet tona. Në dyqanin tonë në 90% të kohës flitet vetëm për ekipet tona, gjithmonë atmosfera është sportive”, shprehet Arti. Tifozi i Yllit, Arti Shala me kapitenin e skuadrës, Gëzim Morina Duke qenë se Suhareka është një qytet i vogël e thuajse të gjithë njihen mes vete, edhe protagonistët e fushës së blertë dhe parketit zgjedhin tifozët e tyre të zjarrtë që të kujdesen për lukun e tyre. “Na duan të gjithë sepse janë në njohuri që ne i dashurojmë me zemër skuadrat tona, prandaj një pjesë e madhe e lojtarëve vinë te ne”, vazhdon Shala, duke treguar se beson fuqishëm që Ylli do të jetë protagonisti kryesor në Superkupë dhe kampionat. “Ylli gjithmonë është një prej pretendentëve për trofe. Në Prizren besoj fuqishëm që do ta fitojmë Superkupën, kemi shumë kualitet në ekip”, deklaron tifozi suharekas për Klankosova.tv. Prishtinasi, kundërshtarë i sheh Trepçën e Yllin Yllin e shikon si kundërshtar të fortë edhe një tifoz nga Prishtina. Por pavarësisht kësaj dhe investimit edhe në skuadrat tjera, Alban Ajeti është i bindur se ka ardhur koha që titujt e basketbollit të rikthehen te klubi më i trofeshëm në vend. “Mendoj që Prishtina do të shfaqë ndeshje shumë të mira në Superkupë dhe padyshim që nëse veç e fiton trofe, do të rritet vetëbesimi te lojtarët dhe stafi i trajnerëve për kampionat dhe fitimin e dy trofeve tjera”, shprehet prishtinasi. “Dy kundërshtarët më të fortë që i shoh unë në Prizren, janë Trepça edhe Ylli, ku të dyja kanë krijuar ekipe shumë të mira”. “Edhe Bashkimi është interesant këtë edicion”, vazhdon Ajeti, i cili megjithatë këtë fillim sezoni e ka bindjen se Prishtina është ajo që ka ndryshuar më së miri sivjet. Alban Ajeti, tifoz i Prishtinës “Prishtina do të hyjë me një fytyrë krejtësisht tjetër tani, ku e ka rikthy trajnerin Bilge, për të cilin mendoj se është shumë cilësor, e që poashtu ka tregu rezultate sa ka qenë më herët në Prishtinë, duke e fituar Superkupën. Njëkohësisht është mjaft motivues edhe për lojtarët e rinj. Prishtina po punon për të ardhmen, kjo ka shumë rëndësi dhe atmosfera në ekip është shumë e mirë. Titujt besoj se do të kthehen aty ku e kanë vendin”, përfundon deklarimin për Klankosova.tv, Alban Ajeti. Kundërshtar të përbetuar skuadra që tifozi prishtinas e simpatizon, medoemos se e ka klubin e dytë për nga titujt kampion në Kosovë, Pejën. “Do të jemi arrë e fortë për të gjithë” Tifozët e ish-kampionëve të Kosovës kanë besim të madh se ky vit do të buzëqesh për ta. Njëri prej tyre që thuajse gjithë jetën ka qëndruar në palestra, duke e mbështetur ekipin e zemrës së tij, Pejën, është optimist se sivjet ka përparime të dukshme te skuadra, sidomos te kualiteti i vendorëve dhe te të rinjtë. “Së pari mendoj se është ende herët të flasim diçka konkrete, por me një këndvështrim si tifoz sa i përket vendorëve dhe krahasimin e tyre me sezonin e kaluar, mendoj që janë më kualitativë. Poashtu mendoj që puna sivjet me basketbollistë të rinj nën moshën 22 vjeç dhe kombinimi i tyre me lojtarët me përvojë, do të jep frytet e veta. Kur ia shtojmë kësaj edhe përforcimet nga jashtë, i bindur jam se do të jemi goxha arrë e fortë për të gjithë”, shprehet me plot optimizëm pejani Agon Doka. Agon Doka, tifoz i Pejës Sipas tij, është një sinjali fortë se Peja e këtij viti është më e qetë dhe më e vendosur në synimet e veta. “Në Superkupë pres spektakël, pres që të ketë tifozë të të gjitha shtresave e gjinive, duke nisur nga fëmijë e deri te më të vjetrit”, vazhdon Doka, duke dhënë edhe një mesazh për tifozëritë. “Ofendime të mos ketë, aq më tepër eksese. Dhashtë Zoti të nisë e mbarojë turneu pa asgjë të keqe. Natyrisht që pres të paktën Peja ta prekë finalen, pse jo të triumfojë”. “Urime e suksese të gjitha ekipeve”. Kështu e mbyll deklarimin e tij njëri prej tifozëve më besnikë të Pejës. Nikoqiri i Superkupës e “pret” në finale Trepçën Sigurisht që ecuri të mbarë dhe sportive presin edhe nikoqirët e Superkupës. Baton Çoçaj është një prej mbështetësve më të mëdhenj të Bashkimit, skuadër kjo e cila sivjet ka një “fytyrë” krejtësisht tjetër, krahasuar me edicionet e kaluara, çka natyrisht i ka rritur pritshmëritë edhe të tifozëve. “Besoj se këtë vit është punuar shumë fort nga super kryesia e klubit, për të bërë një ‘roster’ konkurrues. Me lojtarë vendorë si Altin Morina, Valon Bunjaku, Lejson Zeqiri, Samir Zekiqi, Meriton Ismajli, Hajriz Hazeri, Dren Dedushaj e Veton Gjecaj, shto këtu edhe lojtarët e huaj, besoj se është punuar shumë më mirë se sezonet e shkuara”, shprehet i ngazëllyer Çoçaj, i cili është i bindur se në Superkupën e organizuar në Prizren, Bashkimi do ta prekë finalen, derisa si kundërshtar më të fortë e llogarit kampionen aktuale, Trepçën. Baton Çoçaj, tifoz i Bashkimit Djaloshi prizrenas e ka edhe një dëshirë të cilën ia shfaq Klan Kosovës. “I ftoj të gjithë që ta bëjmë të paharrueshëm këtë super-javë basketbollistike, në qytetin tonë të bukur të Prizrenit. Le të jetë ky një fillim i mbarë për basketbollin tonë këtë vit”, e mbyll deklarimin për Klankosova.tv “arpagjiki” i qytetit të Lidhjes. Superkupa e Kosovës fillon të shtunën më 7 shtator, me dy ndeshje. Në ora 17:00 përballet Trepça me Borën, kurse në ora 20:00 ndeshen Prishtina dhe Vëllaznimi, raporton Klankosova.tv. E diela nis me duelin ndërmjet Pejës dhe Prizrenit (17:00), për t’u mbyllur çerekfinalet me derbin “04”, ku Ylli sfidon nikoqirët, Bashkimin (20:00). Të gjitha ndeshjet transmetohen direkt në platformën gjigante ART MOTION. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.