Arrestime e lëndime, çka ndodhi në protestën e djeshme të PD-së? NULL NULL 25.01.2026 07:23 25.01.2026 07:23 Gjatë protestës së zhvilluar dje në Tiranë, të thirrur dhe organizuar nga Partia Demokratike, 11 punonjës policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmeve me molotovë, lëndë piroteknike dhe sende të forta, të hedhura drejt tyre pranë Kryeministrisë dhe godinës së Kuvendit. Policët e dëmtuar, të cilët ishin në krye të detyrës, bëhet e ditur se kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegies. Sipas Policisë së Shqipërisë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, protestuesit kanë vijuar, duke detyruar ndërhyrjen e forcave të rendit për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi. Policia gjithashtu ka bërë të ditur se janë shoqëruar 23 persona, nga të cilët një ka rezultuar i mitur. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë procedurat për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë./abcnews.al