Arlind Ajeti, që një dekadë me Shqipërinë NULL NULL 11.06.2024 20:04 11.06.2024 20:04 Mbrojtësi Arlind Ajeti, sivjet i bën dhjetë vjet prej kur ka debutuar për Kuq e Zinjtë. Podujevas me rrënjë, por lindur e rritur në Basel të Zvicrës, Ajeti zgjodhi kombëtaren shqiptare pas katër vjetësh përvojë me ato zvicerane për grup-moshat e reja. Për Kuqezinjtë ai i numëron 26 paraqitje, prej ku ka realizuar një gol – kundër Katarit në një ndeshje miqësore më 2016. Ajeti është pjesë e atij numri të pakët të lojtarëve që ishin pjesë e Shqipërisë në EURO 2016. Nëse dikush prej shqiptarëve ia kishte parë, në njëfarë mënyre, hairin kartonit të kuq të Lorik Canës kundër Zvicrës më 2016 ishte pikërisht Ajeti. Ndonëse Shqipëria nuk kishte arritur t’i kalonte grupet, Ajeti qe shquar me performancat e tij, madje duke qenë më i miri në fitoren kundër Rumanisë. 30-vjeçari nuk është se pati kontribut në kampanjën e Shqipërisë për këtë Evropian, por sidoqoftë ishte ndër të besuarit e Sylvinhos për ta marrë me vete në Gjermani. Sa i përket karrierës së tij në klube, ai kryesisht ka luajtur në Zvicër (Basel, Grasshoppers), dhe Itali (Frosinone, Torino, Crotone, Reggiana, Padova, Pordenone). Ka pasur një përvojë në Danimarkë te Velje më 2020, ndërkaq aktualisht luan në Rumani te CFR Cluj. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.