Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Apeli e kthen në rigjykim rastin e “53-milionëshit” ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve

NULL NULL
27.02.2025 15:41
Foto: Arkiv

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, të dënuar bashkërisht nga Themelorja me 10 vjet e 3 muaj burgim për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë Ministri, dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në Ministri, ngarkohen nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i zyrtare apo autoritetit zyrtar”.

Vendimi thotë se janë aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve Pal Lekaj me avokat Artan Qerkinin, Nebih Shatri me avokat Florent Latifajn, Eset Berisha me avokat Afrim Salihun dhe Besim Tahiri me avokat Urim Vokshi, si dhe ankesa e vetë të akuzuarit Eset Berisha, e sipas detyrës zyrtare, “anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special PS.nr.4/2022 të datës 31.01.2024, dhe çështja penale kthehet në rigjykim dhe rivendosje”.

Apeli në këtë vendim thotë se ankesa e Prokurorisë Speciale është e paobjekt.

Më datë 31 janar 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, Pal Lekajn e pati dënuar me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv. Ndaj tij, gjykata pati shpallur edhe dënim plotësues, që është ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Nebih Shatri ishte dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim, dhe dënim plotësues ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike apo funksioneve në shërbimet publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burgim. Me dënim të njëjtë ishte dënuar edhe Besim Tahiri.

Ndërsa Eset Berisha ishte dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim dhe me dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Kundër këtij aktgjykimi kanë parashtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për shkak të vendimit mbi sanksionin penal, me propozim që Gjykata e Apelit aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë dhe të akuzuarve t’i shqiptohet dënim me burg më të lartë.

Përgjigje në ankesën e prokurorisë kanë parashtruar mbrojtësit e të pandehurve, duke i kundërshtuar në tërësi pretendimet ankimore, dhe duke konsideruar se ankesa është e pabazuar. /Klankosova.tv

KËTU mund ta gjeni vendimin e plotë të Apelit.

lajme të ngjashme