Anulimi i konkursit për 21 diplomatë të rinj, Haxholli: MPJD t’i shfrytëzojë mekanizmat ligjorë për ta apeluar vendimin NULL NULL 19.06.2025 23:30 19.06.2025 23:30 Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ia ka rrëzuar MPJD-së konkursin përmes të cilit vitin e kaluar kishte pranuar 21 diplomatë të rinj. Kjo pasi e ka pranuar si të bazuar ankesën e parashtruar nga Florentina Haliti-Mehmeti. Në lidhje me rrëzimin e këtij konkursi ka folur kryetari i Shoqatës sindikale të shërbimit të jashtëm të Kosovës, Fatmir Haxholli, i cili tha se si Sindikatë, e mbrojnë të drejtën e 21 diplomatëve të rinj që të jenë pjesë e shërbimit. “Për anëtarët e rinj të sapo pranuar, tash e disa muaj, e drejta e tyre për të vazhduar në MPJD si anëtarë të shërbimit diplomatik është kontestuar, por ne si Sindikatë e mbrojmë atë të drejtë që ata të jenë pjesë e shërbimit”. “Edhe pse vendimi është i freskët, si Sindikatë kemi parë se Këshilli i Pavarur ka kërkuar që në një afat prej 15 ditësh të vendoset në lidhje me këtë proces, që ata thonë se duhet të anulohet. Por mendoj që MPJD-ja duhet të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat ligjorë për ta apeluar këtë vendim”, tha Haxholli në Edicionin Special në Klan Kosova. Tutje, sipas Haxhollit, MPJD-ja duhet të kërkojë masë të përkohshme, në mënyrë që njerëzit që tashmë janë anëtarë të shërbimit, të mos cenohen. “Njerëzit planifikojnë, lënë vendet paraprake të punës, fillojnë punën si anëtarë të shërbimit diplomatik, kanë zellin të kontribuojnë për vendin dhe mendoj se do të ishte dëm në një moment kur diplomacia dhe politika e jashtme e Kosovës ka nevojë për më shumë staf”, tha ai. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.