Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Analizë sportive: A mbetet Argjentina favorite për Botërorin e radhës? (VIDEO)

NULL NULL
23.06.2026 10:40

Lionel Messi ka hyrë edhe një herë në historinë e futbollit botëror, pasi në ndeshjen ndaj Austrisë realizoi dy gola dhe u bë zyrtarisht golashënuesi më i mirë në historinë e Kampionateve Botërore.

Me këtë paraqitje, ylli argjentinas arriti në 18 gola në Botëror, duke e tejkaluar rekordin e mëparshëm të gjermanit Miroslav Klose.

Pas ndeshjes, Messi u ndal te rëndësia e suksesit individual dhe ekipor, duke theksuar se rekordi nuk është prioriteti kryesor:

“Është një ndjenjë e veçantë të arrish diçka të tillë në një turne kaq të madh si Botërori. Jam shumë i lumtur, por gjithmonë kam thënë se më e rëndësishme është që ekipi të fitojë dhe të vazhdojë rrugëtimin tonë. Rekordet janë pasojë e punës së gjithë skuadrës.”

Falë fitores 2:0 ndaj Austrisë, Argjentina siguroi kualifikimin në fazën e dytë të turneut dhe vazhdon rrugëtimin me ambicie të mëdha për titullin kampion bote.

Suksesi i “La Albiceleste” dhe i Messit u diskutua edhe në Programin e Mëngjesit në Klan Kosova, ku u ndanë mendime të ndryshme për formën e Argjentinës dhe shanset e saj në këtë Botëror.

Tifozi i Argjentinës, Geri, u shpreh me besim të madh në potencialin e skuadrës, duke theksuar stabilitetin dhe kohezionin e grupit:

“Ritmi i lojës së Argjentinës është shumë i qëndrueshëm. Edhe pse ka ndryshime dhe rotacione, skuadra mbetet kompakte dhe e organizuar. Unë mendoj se ky grup është më i pjekur se në edicionin e kaluar dhe lojtarët tashmë e njohin shumë mirë njëri-tjetrin. Për këtë arsye, Argjentina është një nga favoritët kryesorë për ta fituar Botërorin, sepse nuk varet vetëm nga një lojtar, por nga një strukturë e tërë që funksionon shumë mirë së bashku.”

Në anën tjetër, komentatori Engjëll Bërbatovci mbajti një qëndrim më skeptik, duke vënë në pikëpyetje nivelin e kundërshtarëve dhe mënyrën e lojës së Argjentinës:

“Unë mendoj se duhet të jemi më realistë kur flasim për forcën e Argjentinës në këtë fazë. Kundërshtarët që ka pasur deri tani nuk janë në nivelin që ta testojnë realisht këtë skuadër. Ndeshjet e vërteta do të vijnë vetëm kur përballen me kombëtare si Franca, Anglia apo Brazili, ku niveli i lojës, intensiteti dhe cilësia individuale janë shumë më të larta. Vetëm atëherë mund të shohim nëse Argjentina është vërtet favorite apo jo.”

Ai shtoi gjithashtu se loja e Argjentinës shpesh duket e ndërtuar rreth Messit.

“Në shumë momente të ndeshjes vërehet qartë se topi kërkon Messin, dhe kjo ndodh edhe për shkak të rekordeve që po synohen. Por futbolli i nivelit të lartë nuk mund të mbështetet vetëm në një lojtar, pavarësisht madhështisë së tij. Për të fituar një Botëror, duhet ekuilibër dhe kundërshtarë më të fortë për ta matur realisht këtë ekip.”

Në vazhdim të turneut, pritet që Argjentina të bëjë rotacione në formacion, ndërsa Messi ka pranuar se ndien lodhje fizike, por pa e fshehur kënaqësinë për arritjen historike që e vendos atë në majën e golashënuesve në historinë e botërorëve.

lajme të ngjashme