Ambasada gjermane i kërkon Kurtit të mos i ndërtojë urat mbi Ibër: Të adresohen sfida shumë më urgjente NULL NULL 01.07.2025 16:58 01.07.2025 16:58 Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. (Fotografi nga arkivi / Reuters) Ambasada gjermane në Kosovë i ka bërë thirrje qeverisë në detyrë të Kosovës për përmbajtje në lidhje me ndërtimin e dy urave mbi Ibër – paralelisht me urën kryesore, gurthemeli i së cilave do të hidhet sot. Zëvendësshefi i Misionit në ambasadën gjermane, Christian Bottcher tha se në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente. “Ne e mbështesim plotësisht thirrjen e Bashkimit Evropian drejtuar qeverisë së Kosovës që të përmbahen nga ndërtimi i dy kalimeve të reja të lumit Ibër në Mitrovicë. Në vend të veprimeve të pakoordinuara dhe potencialisht përshkallëzuese, siç është ndërtimi i dy urave të tjera, duhet të adresohen sfida shumë më urgjente”, tha për Gazetën Express Christian Böttcher, zëvendësshefi i Misionit në ambasadën gjermane. Ambasada e udhëzoi qeverinë në detyrë që në vend të këtyre lëvizjeve t’i investojë paratë në gjëra që e rrisin mirëqenien e qytetarëve. “Riorientimi i burimeve publike të Kosovës drejt prioriteteve sociale të vetë qeverisë do të sillte përfitime shumë më të mëdha. Futja e sigurimit shëndetësor universal do të zgjeronte qasjen në kujdes dhe do të mbronte familjet nga kostot e larta mjekësore; rritja e shpenzimeve për arsim në nivelet mesatare evropiane dhe rajonale do t’i përgatiste më mirë të rinjtë për tregun e punës; dhe forcimi i rrjeteve të sigurisë sociale do të nxiste kohezionin në të gjitha komunitetet dhe do t’i mbronte familjet nga goditjet ekonomike”, tha ambasada gjermane. Ajo i kërkoi Qeverisë së Kosovës, që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, të riorganizojë buxhetin e saj rreth këtyre objektivave të kahershme, duke shtuar se Gjermania do të ndihmojë në këtë drejtim. “Një ndryshim i tillë do të sillte përmirësime të prekshme në jetën e përditshme, do të përforconte stabilitetin dhe do të hapte rrugën për prosperitet të qëndrueshëm. Gjermania vazhdon të jetë e gatshme të ndihmojë Kosovën në arritjen e këtyre qëllimeve”. Plani për këto ura erdhi menjëherë pas themelimit të Bordit të Përbashkët mes Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Themelimi i këtij bordi u përkrah nga Qeveria në detyrë e Albin Kurtit. Më pas Lëvizja Vetëvendosje publikoi projektin për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër që lidhin jugun dhe veriun e Mitrovicës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.