Alonso: Na nevojitet një makinë më e shpejtë NULL NULL 05.10.2015 14:28 05.10.2015 14:28 Fernando Alonso e pranon se makina McLaren Honda nuk ka bërë hapa përpara gjatë këtij sezoni. Ish kampioni i botës që nisi një eksperiencë të re me skuadrën britanike është përballur me probleme të shumta pasi motori Honda nuk po jep rezultatet e pritura nga drejtuesi Ron Dennis. Në prag të garës së Japonisë, Alonso thekson se do të jetë e vështirë që deri në fund të sezonit makina të ecë përpara me zhvillimin. “Për momentin kemi një makinë të ngadaltë dhe për të parë progres duhet të presim disa kohë. Do t’i përdorim garat e mbetura të sezonit për të punuar me makinën e vitit 2016. Në disa gara kemi pasur përmirësime në aerodinamikë, ndërsa në disa të tjera në njësinë e fuqisë. Gjatë këtij sezoni kemi qenë të dobët në xhiro dhe në gara, në të gjitha aspektet por gjatë çdo metri që bëjmë mësojmë gjëra të reja. Jam i sigurt se informacionet e mbledhura do të na hyjnë në punë për makinën e re”. Në vijim, spanjolli hoqi të gjitha hijet e dyshimeve për të ardhmen, duke theksuar se do të respektojë kontratën 3-vjeçare me skuadrën angleze, ndërsa u kërkoi tifozëve që të tregojnë durim. “Aktualisht nuk mund të bëjmë shumë dhe shpresoj që vitin e ardhshëm të ndryshojmë strukturën e njësisë së forcës dhe të zgjidhim të gjitha problemet. Unë jam optimist, prandaj le të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”./S.S