Allen vlerëson përkushtimin e Osmanit, kërkon më shumë bashkëpunim me qeverinë NULL NULL 20.05.2024 21:18 20.05.2024 21:18 Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Elizabeth Allen, flet në Rubikon. Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Elizabeth Allen, ka folur mbi takimet e mbajtura të dielën me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Allen tha në Rubikon të Klan Kosovës se takimet pasqyruan partneritetin dhe miqësinë që Shtetet e Bashkuara kanë me popullin e Kosovës. “Biseduam se si një nga pikat më të forta të partneritetit tonë është partneriteti mes njerëzve tanë dhe si të përqendrohemi në ndërtimin e atyre lidhjeve, ndërtimin e atij mirëkuptimi të ndërsjellë mes njerëzve tanë për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët që duam të shohim”, tha Allen. Nënsekretarja tha se e vlerëson përkushtimin e presidentes Osmani ndaj marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërkaq takimin me kryeministrin Kurti e cilësoi si konstruktiv, por shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë shqetësime lidhur me politikat e fundit të ekzekutivit. “Siç e dini, e vlerësoj shumë përkushtimin e presidentes Osmani ndaj marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës. Ne nënshkruam një marrëveshje të mirëkuptimit për dezinformimin dhe folëm në veçanti për mënyrat për të rritur programet me të rinjtë dhe gratë. Me të vërtetë e vlerësoj shumë atë takim. Ngjashëm, edhe me kryeministrin Kurti diskutuam në mënyrë shumë konstruktive dhe theksova sërish se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ardhmen e Kosovës në komunitetin euroatlantik. Po ashtu, i shpreha disa shqetësime për disa nga zgjedhjet e fundit të politikave të kësaj qeverie dhe kërkuam rritje të bashkëpunimit. Ne, si Shtete të Bashkuara, duam të jemi në gjendje të vazhdojmë të avokojmë në mënyrë efektive për Kosovën dhe integrimin e saj në bashkësinë ndërkombëtare dhe për ta bërë këtë ne kërkojmë më shumë bashkëpunim”, tha Allen në Rubikon të Klan Kosovës. Ajo përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ndalimin e mallrave serbe si çështje për të cilat do të ketë “diskutime të sinqerta” me Qeverinë Kurti. “Në çdo partneritet, në çdo miqësi të ngushtë, ka momente kur bisedoni në mënyrë të sinqertë dhe kështu pjesë e këtij partneriteti janë diskutimet e sinqerta me homologët tanë për çështjet kur shohim se ka fusha për përparim shtesë – qofshin diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ndalimin e mallrave serbe, këto janë fusha ku ne do të kemi diskutime të sinqerta për fushat ku shohim mundësi për përparim më të madh në këtë partneritet, si dhe për t’i dhënë Shteteve të Bashkuara aftësinë për të vazhduar të jenë avokatë efektivë”, tha Allen.