Albin Kurti mund të arrestohet NULL NULL 10.05.2017 10:50 10.05.2017 10:50 Policia e Kosovës ka treguar se ka urdhër për ta arrestuar Albin Kurtin. Deputeti dhe ish-lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti mund të arrestohet nga policia, pasi për të ka urdhërarrest. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Bajram Krasniqi tha për KALLXO.com se “policia do ta vlerësojë situatën se a do të arrestohet Kurti gjatë ditës së sotme nëse shihet në Kuvend”. Burime të Gjykatës Themelore në Prishtinë i thanë se urdhërarresti për Albin Kurtin është gjithëpërfshirës dhe ai mund të arrestohet në çdo moment. Sipas gazetarëve të KALLXO.com në Kuvend, Albin Kurti ende nuk është i pranishëm. Zëdhënësi i “Vetëvendosjes” Shkodran Hoti, tha se Kurti do të marrë pjesë në mbledhjen e Kuvendit në lidhje me mocionin e mosbesimit. “Kurti ka me qenë në Kuvend të paktën kështu ka thënë, por nuk e di, nuk jam i informuar nëse ka arritur në ambientet e Kuvendit”, tha Hoti. I pyetur se ku aktualisht ndodhet Kurti, zëdhënësi Hoti tha se ai është në Prishtinë. “Nëpër Prishtinë, nuk ka ku të shkojë, s’ka çka të mbajë fshehtë”, tha Hoti. Urdhër-arrestin për Albin Kurtin e lëshoi gjyqtari Beqir Kalludra më 21 prill, pasi Kurti nuk mori pjesë në seancën e gjykimit për lotsjellësin në Kuvend, ku akuzohen bashkë me të edhe tre deputetë tjerë të “Vetëvendosjes”. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Renovimi i Teatrit mund të shtyhet përtej shtatorit / Çka thonë nga kompania "Limit Project"? (VIDEO) 20/06/2025