Albert Musliu: Rënia e Gruevskit është e pashmangshme - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Albert Musliu: Rënia e Gruevskit është e pashmangshme

NULL NULL
10/05/2015
Analisti i mirënjohur politik nga Maqedonia, Albert Musliu, ka thënë për Klan Kosovën se konflikti ndëretnik është e vetmja kartë e Gruevskit që shqetësimin qytetar ta pozicionojë larg fakteve të fundit rreth tij.

Eskalimi i shpejtë i situatës në Kumanovë ka bërë që të ketë paqartësi të shumta në lidhje me shkaqet dhe mënyrën e zhvillimit të konfliktit.

Shqetësim i madh mbetet mungesa e informacioneve zyrtare, por edhe raportimi ndonjëherë kaotik i mediave maqedonase.

Analisti politik nga Maqedonia, Albert Musliu, në një intervistë për Klan Kosovën, ka thënë se gjendja është jashtëzakonisht problematike.

“Situata është tragjike, kemi humbje të jetëve”.

“Është shqetësuese mungesa e drejtë e informimit. Nuk kemi pasur informacione zyrtare nga policia e shtetit dhe nga Qeveria për viktimat, për të lënduarit për identitetin e tyre”.

“Gjithashtu, edhe mediat janë të censuruara të japin informacione – në disa raste janë edhe të kërcënuara. Sasia e informacioneve që marrin qytetarët është e paktë dhe ato janë të pakonfirmuara. Kjo është shumë shqetësuese në rrethana të këtilla”.

Musliu mendon se këto ngjarje po ndodhin në një moment kur qytetarët kanë një sërë faktesh për mënyrën në të cilën Qeveria e Gruevskit ka funksionuar përgjatë këtyre viteve.

“Konflikti ndëretnik në këto momente është e vetmja kartë e Gruevskit që shqetësimin qytetar ta pozicionojë larg fakteve të fundit rreth tij dhe qeverisjes së tij”, ka pohuar ai për Klan Kosovën.

“VMRO-DPMNE e shtyu edhe kongresin e partisë. Protestat e qytetarëve këto ditët e fundit ishin duke u masivizuar, një sërë skandalesh u publikuan dhe kjo na bën të mendojmë se kjo situatë e krijuar mund të jetë për zhvendosjen e fokusit të opinionit”.

Në një situatë të tillë i pashmangshëm shihet intervenimi i komunitetit ndërkombëtar për tejkalimin e krizës.

“Komuniteti ndërkombëtar do të intervenojë shumë shpejt pasi po cenohet edhe siguria e Maqedonisë”.

“Njëri nga opsionet është që me ndikimin e tyre të krijohet një qeveri kalimtare njëvjeçare, e përbërë nga spektri i gjerë politik”.

“Involvimi i partive politike shqiptare do të jetë i paevitueshëm”.

“Rënia e Gruevskit do të jetë e pashmangshme. Konflikti i krijuar mund ta vonojë paksa rënien e VMRO-DPMNE-së, por assesi nuk mund ta shpëtojë atë”, konkludon analisti Albert Musliu.

klankosova.tv