Adrian Çollaku: Pozicioni i PDK-së jo shumë i mirë – e ka hipotekë Hashim Thaçin (VIDEO) - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Adrian Çollaku: Pozicioni i PDK-së jo shumë i mirë – e ka hipotekë Hashim Thaçin (VIDEO)

NULL NULL
17/04/2020

Kryeredaktori i Gazetës “Blic” Adrian Çollaku ka thënë se është hipokrizi nga ana e PDK-së që po e kritikon qeverinë për masa të vonshme për pandeminë, derisa vetë e ka votuar rrëzimin e kësaj qeverie.

“PDK po luan lojë të dyfishtë që mendoj se në fund nuk do t’i dalë shumë mirë. Ankohen pse qeveria nuk ka marrë masa më herët, ndërkohë që janë pikërisht PDK  – dhe partitë e tjera – që e kanë votuar mocionin për rrëzimin e qeverisë”.

“Në ndërkohë, kemi shtete të caktuara ku edhe opozita e ka mbështetur qeverinë pavarësisht mënyrës se si ka qeverisur vetëm që të tejkalohet situata me pandeminë”.

“Tash të thuhet që qeveria nuk ka marrë masa dhe të votohet mocioni për rrëzimin e kësaj qeverie, mendoj që PDK nuk është shumë e qartë në atë që do – në një formë ose tjetër është një lloj hipokrizie e PDK-së, por edhe e partive të tjera. Nuk mund ta akuzosh një qeveri që nuk po merr masa, ndërkohë që ke votuar për shkarkimin e saj”.

Çollaku në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se nëse shkohet shpejt në zgjedhje, elektorati mund ta ndëshkojë PDK-në dhe partitë e tjera që e kanë rrëzuar qeverinë në kohën e pandemisë.

Por, a mund të ndodhë një bashkëpunim Vetëvendosje-PDK, sipas Adrian Çollakut?

“Mund të ndodhë. Situata ka qenë edhe më keq mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Sa ishte Isa Mustafa kryeministër kishte tensionim të jashtëzakonshëm dhe gjërat kishin shkuar deri në personale”.

“Pozicionin e PDK-së e shoh jo shumë të mirë për faktin se e kanë një hipotekë – presidentin Hashim Thaçi që është në lojë. Ai [Hashim Thaçi] do të mundohet që ta përdorë PDK-në që ta shtyjë çështjen e marrëveshjes, por edhe veten e tij si personalitet”.

“PDK-ja nuk do të jetë opozita kryesore. Nëse Vetëvendosja mbetet në opozitë, ata do të jenë opozita kryesore”.

Ai ka thënë se ndikimi i PDK-së nga presidenti Hashim Thaçi mund ta dëmtojë këtë parti nëse mbetet në opozitë në një qeveri të mundshme LDK-AAK-Nisma.

“Unë mendoj që Hashim Thaçi do ta dëmtojë shumë PDK-në gjatë kohës sa është në opozitë. Do të vijnë momente shumë të rëndësishme, si çështja e marrëveshjes me Serbinë, që PDK-ja edhe pse është në opozitë do ta mbështesë dhe kjo do t’i ndëshkojë”.

“Nëse Kadri Veseli është aq i guximshëm dhe ka arritur që ta shkëpusë partinë krejtësisht nga Hashim Thaçi, gjë që nuk besoj, atëherë do të jetë një befasi e mirë që PDK-ja të jetë një opozitë e fuqishme në një situatë kur kemi një koalicion LDK-AAK-Nisma”.

“Nëse PDK do t’i thotë ‘JO’ Hashim Thaçit dhe kësisoj do të jetë opozitë e fuqishme, atëherë në zgjedhjet e tjera do të tregojë rezultat. Por, nëse do të mbetet hipotekë e Hashim Thaçit, PDK-ja do të dalë shumë keq në zgjedhje”.