18 të arrestuar për vjedhje energjie, ndërtim pa leje dhe prerje të pyjeve NULL NULL 30.05.2016 09:03 30.05.2016 09:03 Përgjatë javës që lamë pas, janë arrestuar në kushtet e flagrancës 18 persona, për vjedhje energjie, ndërtim pa leje dhe prerje të pyjeve. “Për ndalimin dhe goditjen e vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 75 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE”, thuhet në njoftimin për media të policisë. Gjithashtu bëhet e ditur se janë kryer 2765 kontrolle në terren dhe gjatë kontrolleve janë evidentuar 43 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 43 autorë. Mësohet se nga këta, 12 autorë janë arrestuar në flagrancë, 4 të tjerë janë shpallur në kërkim dhe 27 persona ndiqen në gjendje të lirë. Për sa i përket ndërtimeve të paligjshme, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 28 raste. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 28 autorë nga të cilët, 4 janë arrestuar në flagrancë, 23 autorë ndiqen në gjendje të lirë dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Në njoftimin për shtyp thuhet se në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, në të gjithë vendin vijon operacioni “Roja i Gjelbër”, ku gjatë javës që kaloi në të gjithë vendin janë evidentuar 9 raste me 9 autorë, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë, 6 ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim. Policia e Shtetit ka njoftuar se në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, ka evidentuar 6 raste me 6 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit nënvizon se do të vijojë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme edhe në javët në vazhdim./shekulli *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.