PSRK-ja kërkon të mos spekulohet për shifra në varrezën masive, Kurti: Me shumë gjasë janë 23 trupa NULL NULL 01.08.2026 15:55 01.08.2026 15:55 Foto: REL Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Nora Luta, ka deklaruar se gërmimet që po zhvillohen në Zubin Potok janë pjesë e një procesi të ndjeshëm hetimor për kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga mediat të shmangin raportimet e pakonfirmuara. Ajo tha se rasti është ende në fazën e hetimeve dhe se veprimet e deritanishme janë rezultat i një pune disavjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. “Në lidhje me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’ju them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve. Kjo është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i një pune hetimore disa vjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Deri më tani janë bërë mbi 10 urdhra për zhvarrosje, krejt kjo në kuadër të këtyre veprimeve hetimore pra që janë ndërmarrë. Ajo çfarë mund të them gjithashtu dhe të theksoj është se nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor”, u shpreh Luta, raporton EkonomiaOnline. E pyetur për raportimet lidhur me numrin e mbetjeve mortore që pretendohet se janë gjetur në lokacion, Luta tha se është ende herët për të konfirmuar shifra. “Dëshirojmë, ju lusim për mirëkuptim dhe për shmangie të çfarëdo raportimi të pakonfirmuar nga institucionet kompetente. Ende është herët të flitet në këtë fazë me numra, pra duhet të presim të gjitha verifikimet dhe analizat e nevojshme për të ardhur deri te një rezultat i tillë. Në momentin që do të kemi të drejtë pra nga aspekti ligjor të japim informacione, publiku, ju mediat do të keni qasje që të keni informacione në gjithë procesin hetimor. Por deri në këtë fazë kërkojmë mirëkuptim, pra me qëllimin krejt kjo që të mbrohet integriteti i procesit hetimor, të presim një rezultat, gjithashtu edhe në nderim të dinjitetit të viktimave dhe familjarëve të tyre”, u shpreh zëdhënësja e PSRK-së. Për dallim nga Luta, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, derisa po qëndronte sot në vendin ku po bëhen gërmimet për varrezë masive, paraprakisht tha se “me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”. /Klankosova.tv