I dënuar me 17 vjet në Shqipëri për vrasje, përdorte identitetin e një të vdekuri – arrestohet në Kosovë NULL NULL 31.07.2026 13:28 31.07.2026 13:28 Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë zbuluar një rast të rëndë të keqpërdorimit të identitetit, i cili çoi në arrestimin e një shtetasi shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje dhe vepra të tjera të rënda penale. Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, operacioni u zhvillua në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) të Policisë së Kosovës, si dhe me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, transmeton klankosova.tv. Hetimet nisën më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. u paraqit në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimit, zyrtarët zbuluan se identiteti i përdorur i përkiste një personi të ndjerë prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit. I dyshuari u shoqërua në Polici dhe u intervistua në prani të avokatit, por zgjodhi të mos japë deklaratë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai u ndalua për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata caktoi masën e paraburgimit. Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, autoritetet kosovare aktivizuan bashkëpunimin ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat biometrike dhe gjurmët e gishtërinjve. Nga informacionet e marra nga autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, u konfirmua se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa vende evropiane. “Nga informacionet e pranuara përmes kanaleve zyrtare të bashkëpunimit ndërkombëtar me autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, është konfirmuar se i dyshuari ka përdorur (5) identitete të ndryshme, kryesisht të lidhura me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe lëvizur në disa shtete evropiane”, shkruhet në komunikatën e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore të Prishtinës. Si rezultat i hetimeve të mëtejshme dhe bashkëpunimit me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, u identifikua se personi i arrestuar është shtetasi shqiptar me inicialet E.K., i cili kërkohej me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli. Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”. “Autoritetet e Republikës së Shqipërisë kanë konfirmuar identitetin e tij dhe kanë njoftuar se ai është i dënuar me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim për veprat penale ‘’Vrasje’’ dhe ‘’Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, thuhet në komunikatë. Postimi i plotë: