Hamza: Serbia ende nuk ka dhënë llogari për krimet, po mban peng të vërtetën për të zhdukurit NULL NULL 28.07.2026 18:33 28.07.2026 18:33 Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se sot në Zubin Potok po zhvillohen gërmime për mbetje mortore, pas dyshimeve për një varrezë masive. Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Hamza ka thënë se edhe pas 27 vitesh, familjet e mijëra personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë vazhdojnë të presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre. “Edhe pas 27 vitesh, ne ende jetojmë me dhimbjen e pritjes dhe shpresën për të mësuar të vërtetën për mijëra qytetarë të zhdukur me dhunë gjatë luftës”, ka shkruar Hamza. Ai ka kritikuar Serbinë për mungesën e, siç është shprehur, llogaridhënies për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka kërkuar që e vërteta për personat e zhdukur të zbardhet. Hamza ka përmendur edhe rastin e mbi 100 familjeve nga Mitrovica që ende presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre, duke përfshirë edhe 23 intelektualë mitrovicas të zhdukur në vitin 1999. “Një ditë kjo dhimbje do të marrë fund, por e vërteta duhet të dëgjohet dhe drejtësia duhet të vihet në vend”, ka deklaruar ai. Sipas Hamzës, Kosova do të vazhdojë të kërkojë zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur dhe drejtësi për familjet e tyre. /Klankosova.tv