Kosova siguron 60 milionë euro për Fshatin Olimpik të ‘Prishtina 2030’ NULL NULL 27.07.2026 11:32 27.07.2026 11:32 Kosova ka siguruar një kredi në vlerë prej 60 milionë eurosh për renovimin e kompleksit të banimit të studentëve, i cili do të shërbejë si Fshati Olimpik gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i deleguar për Evropën nga Franca, Benjamin Haddad, pas takimit me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, transmeton Klankosova.tv. Haddad ka deklaruar se marrëveshja për kredinë tashmë është nënshkruar dhe se projekti do të përfshijë jo vetëm rinovimin e hapësirave të banimit, por edhe investime në objektet sportive dhe shkollat përreth Qendrës Studentore. Sapo kemi nënshkruar një kredi prej 60 milionë eurosh për rinovimin e kompleksit të banimit të studentëve, i cili do të shërbejë si Fshati Olimpik për Lojërat Mesdhetare. Ky projekt do të sjellë përfitime shumë përtej organizimit të Lojërave Mesdhetare të vitit 2030”, ka deklaruar Haddad. Ndërkaq, Glauk Konjufca ka vlerësuar mbështetjen e Francës për Kosovën, duke theksuar se ndihma për Lojërat Mesdhetare përfaqëson më shumë sesa një mbështetje teknike. Sot zhvilluam një takim të frytshëm ku diskutuam për forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, bashkëpunimin ekonomik, sigurinë dhe zhvillimet në rajon. Mbështetja e Francës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 është shprehje e besimit në potencialin dhe të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Konjufca. Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare e organizuar ndonjëherë në Kosovë. Në këtë garë pritet të marrin pjesë mijëra sportistë nga vendet e rajonit të Mesdheut.