Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Kuzhinat e porositura për Shëngjin mbetën në Pejë, edhe përkundër pagesës (VIDEO)

NULL NULL
15.07.2026 19:47
Foto ilustruese

Dy qytetarë pretendojnë se janë dëmtuar financiarisht pasi paguan mijëra euro parapagesë për prodhimin e mobilieve, të cilat, sipas tyre, nuk u realizuan as brenda afateve të dakorduara dhe as pas më shumë se një viti pritjeje.

Të dy rastet tashmë janë adresuar në institucionet e drejtësisë, ndërsa personi ndaj të cilit janë ngritur pretendimet mohon se ka mashtruar klientët.

Njëri nga klientët, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se në vitin 2024 kishte porositur një kuzhinë për banesën e tij në Shëngjin të Shqipërisë. Sipas tij, pas një takimi në Pejë me prodhuesin e mobilieve, u dakorduan për projektin dhe çmimin, ndërsa ai pagoi 4 mijë euro parapagesë me arsyetimin se mjetet nevojiteshin për blerjen e materialit.

Megjithatë, ai pretendon se mobiliet nuk u realizuan brenda afatit të premtuar. Pas muajsh pritjeje, telefonatave dhe mesazheve, thotë se kishte marrë vetëm disa pjesë të papërfunduara të mobilieve, të cilat, sipas vlerësimit të dy kompanive të tjera, kishin vlerë shumë më të ulët se shuma e paguar. Për shkak të vonesave, ai angazhoi një kompani tjetër për ta përfunduar kuzhinën dhe më pas e paraqiti rastin në Prokurori, duke kërkuar kthimin e pjesës së mbetur të mjeteve.

Pretendime të ngjashme ka edhe Besnike Jaka. Ajo thotë se në tetor të vitit 2024 ishte takuar me të njëjtin prodhues në Pejë për porositjen e mobilieve. Sipas saj, çmimi i përgjithshëm i projektit ishte 5 mijë euro, ndërsa kishte paguar 2 mijë e 500 euro parapagesë. Punimet, sipas marrëveshjes, duhej të përfundonin në shkurt të vitit 2025.

Jaka pretendon se afati nuk u respektua dhe se për muaj me radhë mori vetëm arsyetime për vonesat, duke përmendur probleme me materialet, doganën dhe shtyrje të vazhdueshme të punimeve. Ajo thotë se komunikimi i fundit me prodhuesin ishte në shkurt të këtij viti, kur ai i kishte premtuar kthimin e parave, por më pas nuk kishte marrë më përgjigje. Sipas saj, padia tashmë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Pejë dhe procesi është ende në zhvillim.

Ekipi i Kiks Kosova kontaktoi edhe Labinot Karagjyzin, ndaj të cilit janë ngritur këto pretendime.

Ai mohon se ka mashtruar klientët dhe thotë se rrethanat janë ndryshe nga sa paraqiten nga pala tjetër.

Sa i përket rastit të Besnike Jakës, ai pretendon se ishte vetë klientja që kishte anuluar porosinë dhe se ai kishte pranuar t’ia kthente paratë, megjithëse konfirmon se kjo ende nuk ka ndodhur.

Për rastin e familjes për banesën në Shëngjin, Karagjyzi deklaron se çështja ndodhet në procedurë pranë Prokurorisë dhe pretendon se klienti duhet fillimisht t’ia kthejë materialet që, sipas tij, janë prodhuar dhe dërguar. Ai kundërshton edhe vlerësimin që klienti thotë se i është bërë materialit nga kompani të tjera, duke argumentuar se ato nuk mund të përcaktojnë vlerën reale të punës dhe materialit të tij.

Të dy klientët kërkojnë kthimin e mjeteve që pretendojnë se kanë paguar, ndërsa prodhuesi këmbëngul se nuk ka pasur qëllim mashtrimi dhe se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes institucioneve.

Rasti mbetet në procedurë pranë organeve kompetente, të cilat do të vlerësojnë pretendimet dhe provat e paraqitura nga të dyja palët.

Në vijim mund t’i ndiqni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë çështje:

Ndiqeni emisionin e plotë:

lajme të ngjashme