Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Baraliu: Partitë të reflektojnë, zgjedhjet e reja e degradojnë demokracinë

NULL NULL
15.07.2026 08:24

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se pavarësisht sjelljeve të deritanishme të liderëve politikë, ende ekziston shpresa për arritjen e një bashkëpunimi që do të mundësonte formimin e institucioneve të reja të vendit.

Baraliu thotë se partitë politike duhet ta lexojnë mesazhin që ua kanë dhënë qytetarët në zgjedhjet e fundit dhe të reflektojnë në interes të shtetit, e jo të interesave partiake.

Sipas tij, një cikël tjetër zgjedhor nuk do të sillte ndryshime të mëdha në raportet politike, ndërsa do të kishte pasoja serioze për legjitimitetin e partive dhe funksionimin demokratik të vendit.

“Nuk mund të pritet që pas tre cikleve zgjedhore të ketë ndonjë ndryshim apo luhatje të madhe që t’u japë shpresë këtyre njerëzve. Prandaj, duhet të jenë racionalë, të mendojnë mirë dhe të gjykojnë se çfarë ndodh nëse e lejojnë vendin të shkojë edhe një herë në zgjedhje, pa pasur asnjë marrëveshje, qoftë për presidentin, qoftë përmes një reflektimi institucional. Kjo do të thotë që pa asnjë ofertë, marrëveshje apo kusht, ata duhet të shkojnë në seancë, të jenë të pranishëm dhe të votojnë pro, kundër ose të abstenojnë. Të jesh i pranishëm dhe i gatshëm, me një vetëdije të pjekur dhe emancipim demokratik për t’i formuar institucionet, është jetike”, deklaroi ai.

Baraliu shton se dërgimi i vendit në zgjedhje të reja do ta dëmtonte edhe më tej besimin e qytetarëve në procesin demokratik.

Sipas Baraliut, vendi ka pësuar dëme serioze në planin ndërkombëtar për shkak të zvarritjes së krijimit të institucioneve dhe kjo situatë duhet të marrë fund.

“Imazhin dhe reputacionin e vendit e kemi sjellë në një situatë jashtëzakonisht trishtuese dhe shqetësuese. Kjo duhet të ndërpritet përmes një sjelljeje të përgjegjshme dhe institucionaliste të kësaj klase politike, pa dallim fitues apo opozitë, në mënyrë që t’i kemi institucionet dhe për interesa shtetërore (si buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare) ta përkrahim njëri-tjetrin në Kuvend.”, tha ai.

Njëkohësisht, ai kërkon reflektim edhe nga fituesi i zgjedhjeve, duke paralajmëruar se mbështetja elektorale nuk duhet të merret si e mirëqenë. /EO

lajme të ngjashme