Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ngarendja e një qyteti dhe ngecja e një politike 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 07.07.2026 09:30

Ngutja.

Secili prej nesh që ecë rrugëve të Prishtinës tash e sa kohë (kjo është pra dukuri që është e pranishme me vite këtupari), do ta vëren, me të parën, që të thuash gjithçka në këtë qytet lëviz me të shpejtë, për ta përdorur si duhet kohën, këtë asetin më të shtrenjtë që ka njeriu, pas jetës së tij. 

Tek e fundit, gjithçka matet me kohë. Edhe jeta e njeriut. Dhe sa më mirë që njeriu e përdor kohën, sa më shumë që ia di vlerën asaj, aq më gjatë do të jetojë. Dhe anasjelltas.

Vështirë është të gjesh qytet kudo në Evropë (madje), që ka një mobilitet më të madh se Prishtina. Natyrisht, arsyet janë fare objektive. Nuk kemi trena nëntokësorë, nuk kemi tramvaja, rrugët i kemi si i kemi, bllokadat në trafik janë të pashmangshme për çdo ditë të lume. Për këtë shkak, në kërkim të alternativave, në kryeqytetin e Kosovës, me gjasë, kemi përqendrimin më të madh për kokë banori të biçikletave, trotineteve elektrik, motoçikletave. 

Njerëzit ngarendin që të mbërrin me kohë aty ku kanë planifikuar. Kjo është mënyra më e sigurt për të mbërri aty ku duhet, në këtë qytet.

Pastaj, prania e Woltit në rrugët e Prishtinës, me një masivitet të jashtëzakonshëm, gjë e cila nuk ka si të mos vërehet, është një tjetër dëshmi se sa e çmojmë kohën të gjithë ne, kur duhet të ushqehemi me të shpejtë, duke siguruar vaktin në shtëpitë a banesat tona për gjysmë ore, më së largu.

Në vijim të këtyre shembujve që shquajnë ngarendjen, mund të përmendim edhe postën e shpejtë, e cila ka një mori firmash me emra të ndryshëm, e me qëllim të njëjtë.

Gjithçka mund të porositet tek ne, më në fund, me kompanitë që ofrojnë gjithçka. Shpejt dhe mirë.

Ta merr mendja pra, që këtu jemi bërë Evropë dhe Amerikë, në shumë fusha, ku më kryesorja pra qenka shfrytëzimi i kohës. 

Kemi kuptuar, si qytetarë, sa e rëndësishme për ne është koha. Që ajo nuk mund të humbet a harxhohet kot së koti. Se ajo, tek e fundit, është e pakthyeshme. 

Të dalim tash diku tjetër, tej kësaj dinamike të madhe të çdoditshme në rrugët e Prishtinës.

Të kalojmë pra në politikën kosovare. 

Një krahasim fare i shpejtë midis udhëve të Prishtinës dhe këtyre të politikës kosovare, çon menjëherë tek konkludimi i cili nuk ka si të mohohet a të vihet në dyshim.

Teksa për qytetarët e Prishtinës, koha është të thuash gjithçka, në politikën e vendit, koha nuk ka fare vlerë. Pos atëherë kur duhet caktuar ditën/ datën e zgjedhjeve të reja parlamentare. Këtu koha nisë të rrjedhë, ajo në shfaqet me afatet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me ato të fushatës parazgjedhore, me vet ditën e zgjedhjeve, deri te data kur të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve. 

Këtu pra, në këtë procese, bëhemi dëshmitarë të rrjedhës së kohës.

Atëherë, kur do të duhej të nisë përshpejtimi i kohës, me atë ndërmarrjen e krijimit të pushtetit qendror, teksa ky pushtet ka pikërisht në mandatin e tij matjen e kohës kolektive dhe për më shumë, prodhimin e saj (çka është tjetër ardhmënia politike e një shteti dhe e një populli), tek ne ndodhë ngecja e plotë.

Ndalet ora.

Kjo po na ndodhë realisht, që nga muaji shkurt i vitit të kaluar. 

Për një qytetar të vetëm, për familjen e tij, sikur dikush do t’i thotë atij dhe familjes së vet që do të jetë i detyruar të humbë një vit e gjysmë pa bërë gjë prej gjëje, kjo do të kishte domethënien e humbjes së një kohe shumë të vlefshme në jetën e tij.

Teksa koha kolektive ka vlerë më të madhe, madje, shumëfish më të madhe se sa ajo individuale.

Kemi humbur vite dhe decenie në të kaluarën (dikush mund të thotë edhe shekuj të plotë), pa fajin tonë.

Tash, vetëm ne jemi fajtor që po e humbim kohën. Askush tjetër.

lajme të ngjashme