Fermerët hedhin qumështin në lum, Ramosaj: Ata po detyrohen ta derdhin mundin e tyre NULL NULL 04.07.2026 22:31 04.07.2026 22:31 Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka reaguar pas protestës së disa fermerëve, të cilët sot në shenjë revolte kanë derdhur qumësht në lum. Përmes një postimi në Facebook, Ramosaj thotë se ndihet i shqetësuar për situatën e krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit nga qumështorja ‘Vita’, duke shkruar se kjo ka vënë në vështirësi të mëdha fermerët lokalë. “Me shqetësim të thellë po përcjellim situatën e krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit nga qumështorja Vita, e cila ka lënë në vështirësi të mëdha shumë fermerë të Komunës së Deçanit. Fermerët tanë, të cilët çdo ditë dorëzonin rreth 24 mijë litra qumësht në këtë fabrikë, sot po detyrohen ta derdhin mundin e tyre në Lumbardh. Kjo është një pamje e dhimbshme dhe e papranueshme për secilin që e njeh sakrificën e bujqve tanë”, shkroi Ramosaj, transmeton Klankosova.tv. Ai ka theksuar se qumështi i fermerëve nuk duhet të përfundojë në lumenj, por në treg, ku sipas tij e ka vendin. “Këta njerëz nuk kanë kursyer as mund, as kohë e as mjete për të mbajtur gjallë prodhimin vendor. Ata meritojnë mbështetje, jo pasiguri dhe humbje. I bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin urgjentisht hapat e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që qumështi i fermerëve të mos përfundojë në lumenj, por në treg, aty ku e ka vendin. Fermerët tanë nuk duhet të lihen vetëm”, shkroi Ramosaj./Klankosova.tv Fermerët derdhin qumështin, apelojnë për publikim urgjent të rezultateve për Vita-n