Pagesa për rrugë që s’u ndërtuan, aktakuzë ndaj zyrtarëve të Suharekës dhe 2 pronarëve të kompanive NULL NULL 03.07.2026 11:43 03.07.2026 11:43 Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë (6) personave, katër prej tyre zyrtarë komunalë dhe dy pronarë të operatorëve ekonomikë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se D.M., A.K., E.SH., dhe I.H., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas aktakuzës, të pandehurit D.M., dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, me qëllim që t’i mundësojnë përfitim apo çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare dhe gjatë zbatimit të kontratës për ndërtimin e rrugëve lokale “Fejzë Koliqi – Gashi”, “Smajl Sadria” dhe “Isuf Meta” në fshatin Javor, kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e Rregullores për Prokurim Publik, duke aprovuar realizimin e punimeve dhe lejuar pagesa në vlerë prej 29,458.20 euro, ndonëse kontrata nuk ishte realizuar në tërësi, pasi rruga “Fejzë Koliqi – Gashi” nuk ishte ndërtuar fare, transmeton klankosova.tv. Me këto veprime, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 9,050 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material. “Ndërsa, të pandehurit E.SH. dhe I.H., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë të menaxherit të kontratës, lidhur me projektin për ndërtimin e rrugëve lokale “Hafir Gashi”, “25 Gushti” në fshatin Javor dhe “Osman Dalipi” në fshatin Luzhnicë, kanë aprovuar realizimin e punimeve dhe kanë lejuar pagesa në shumën prej 17,124.10 euro, edhe pse ishin në dijeni se rrugët “Hafir Gashi” dhe “25 Gushti” nuk ishin ndërtuar fare. Me këto veprime, sipas aktakuzës, operatorit ekonomik i është mundësuar përfitim i kundërligjshëm në shumën prej 6,439.82 euro, ndërsa Komunës së Suharekës i është shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim. Ndërkaq, të pandehurit XH.K. dhe A.S., në cilësinë e personave përgjegjës të operatorëve ekonomikë kontraktues, akuzohen se nuk kanë realizuar të gjitha punimet e parapara me kontratat e prokurimit publik, ndërsa kanë paraqitur dokumentacion sikur punimet ishin përfunduar në tërësi, duke përfituar mjete publike në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Suharekës.