Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Tri palë në 18 muaj”, zgjedhjet në Kosovë në fokus të mediave ndërkombëtare

NULL NULL
07.06.2026 15:38

Disa nga mediat më prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, duke vënë theksin te fakti se këto janë zgjedhjet e treta që mbahen brenda më pak se 18 muajsh.

Agjencia e lajmeve Reuters e ka përshkruar Kosovën si shtetin më të ri dhe një nga më të varfrit në Evropë, duke theksuar se vendi vazhdon të synojë anëtarësimin në BE, por se gjatë pjesës më të madhe të vitit të kaluar ka funksionuar pa një qeveri të qëndrueshme.

Nën titullin “Kosova voton në zgjedhje të tjera të parakohshme ndërsa kriza politike vazhdon”, Reuters shkruan se cikli i përsëritur i zgjedhjeve ka ngadalësuar proceset reformuese dhe ka vonuar sigurimin e fondeve të rëndësishme nga Bashkimi Evropian, transmeton Klankosova.tv.

Sipas agjencisë, qytetarët e Kosovës kërkojnë t’i japin fund ngërçit politik dhe presin që institucionet të fokusohen në përmirësimin e standardit të jetesës, rritjen e pagave dhe përballimin e kostos së jetesës.

Edhe Associated Press (AP) i ka kushtuar vëmendje procesit zgjedhor në Kosovë, duke raportuar se votuesit iu drejtuan kutive të votimit për herë të tretë brenda më pak se një viti e gjysmë, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike në vend.

AP thekson se Kosova, e cila synon integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, është përballur me pasoja ekonomike të shkaktuara nga paqëndrueshmëria politike, të përkeqësuara edhe nga kriza globale e energjisë dhe rritja e çmimeve të karburanteve.

Sipas raportimit të agjencisë amerikane, mungesa e kompromisit ndërmjet forcave politike ka rritur pakënaqësinë e qytetarëve, të cilët kërkojnë më shumë vëmendje ndaj çështjeve ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies së tyre.

Ndërkohë, Euronews raportoi për zgjedhjet me titullin “Votuesit e frustruar shkojnë përsëri në qendrat e votimit mes ngërçit politik”, duke nënvizuar rritjen e zhgënjimit publik si pasojë e bllokadës së vazhdueshme institucionale.

Sipas këtij mediumi, pakënaqësia e qytetarëve është shtuar që nga zgjedhjet e shkurtit 2025, ndërsa vendi ka kaluar muaj të tërë në paralizë politike./Klankosova.tv

lajme të ngjashme