Haxhiu deklarohet për takimin me Radoniqin NULL NULL 29.04.2026 18:49 29.04.2026 18:49 Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, priti sot në takim kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, me të cilin diskutoi për hapat institucionalë në kuadër të shpalljes së zgjedhjeve të reja. Sipas komunikatës për media të lëshuar nga Zyra e Presidentes, në takim u theksua rëndësia e përgatitjes në kohë të të gjitha veprimeve që lidhen me organizimin e procesit zgjedhor, në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjin dhe standardet demokratike, transmeton Klankosova.tv. Në komunikatë thuhet se Haxhiu ka vlerësuar rolin e KQZ-së “në organizimin e një procesi të rregullt, të besueshëm dhe gjithëpërfshirës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar vazhdimisht pjekuri demokratike dhe besim në procesin zgjedhor”. Gjatë takimit thuhet se u diskutua për afatet ligjore, përgatitjet administrative, koordinimin ndërinstitucional, si dhe nevojën që procesi zgjedhor të zhvillohet pa vonesa dhe me standarde të larta profesionale. Në takim, Klan Kosova mëson se është diskutuar data 7 qershor si opsioni më i mundshëm për zgjedhjet e reja nacionale. /Klankosova.tv