Kosova në prag të zgjedhjeve të reja! NULL NULL 28.04.2026 10:19 28.04.2026 10:19 Në afatin e fundit për presidentin, Kurti thërret konferencë për media Kryeministri Albin Kurti ka thirrur konferencë për media. Sipas një njoftimi të zyrës për media të tij, konferenca do të mbahet nga ora 16:30. Në njoftim nuk janë dhënë detaje se për çka do të flasë shefi i ekzekutivit, por konferenca mbahet në ditën kur po tentohet të zgjidhet presidenti i ri i vendit. Tashmë kanë mbetur më pak se 9 orë prej skadimit të afatit për zgjedhjen e të parit të shtetit, njofton Klankosova.tv. Presidenti në orët e fundit, shtyhet edhe njëherë seanca Është shtyrë për herë të dytë seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, njofton Klankosova.tv. Kjo seancë pritet të zhvillohet nga ora 19:00. Vazhdimi i seancës për ta zgjedhur të parin e shtetit kishte nisur pas orës 10:00, por e njëjta ishte shtyrë për në orën 14:00, njofton Klankosova.tv. Afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit skadon sonte në mesnatë. VV sërish e vetme në sallë Tashmë ka nisur seanca e thirrur për të diskutuar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të vendit. Sikurse edhe në dy seancat e djeshme dhe atë që u paralajmërua për sot në orën 10:00, Vetëvendosja është sërish e vetme në sallë. Opozita ka vendosur që ta bojkotoj këtë seancë, duke mos qenë të pranishëm. A do të ketë kuorum? – Nis seanca për presidentin Ka nisur seanca e jashtëzakonshme ku do të tentohet të zgjidhet presidenti i ri i vendit. Seanca fillimisht u thirr për në orën 10:00, por e njëjta u shty pas bojkotit të opozitës për pjesëmarrje në të. Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu përpos që njoftoi për shtyrjen e seancës, ajo i bëri thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në votim. Sonte në orën 00:00 përfundon afati për zgjedhjen e shefit të shtetit të Kosovës. Hamza: Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm, VV po e çon vendin drejt një anarkie politike Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar atë si një tentim që, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën dhe dëmton rendin demokratik në vend. Në një deklaratë publike, kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, ka thënë se çdo përpjekje për zgjedhje të njëanshme të Presidentit përbën “sulm ndaj shtetit të së drejtës” dhe rrezikon stabilitetin institucional të Kosovës. “Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit,” deklaroi Hamza transmeton Klankosova.tv. Hamza tutje thekson se veprime të tilla mund ta çojnë vendin drejt një situate të paqëndrueshme politike. “Veprimet e tilla ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë shtetin tonë të ri.” Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje që të respektohen institucionet dhe procedurat kushtetuese, duke apeluar edhe te qytetarët për vigjilencë ndaj zhvillimeve politike që, sipas saj, mund të dëmtojnë të ardhmen e vendit. “Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij,” përfundon deklarata e kryetarit të PDK-së Bedri Hamza transmeton Klankosova.tv. Vlora Çitaku i bën thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga kandidatura: Është lojë e Albin Kurtit Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku i ka bërë thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga kandidatura për presidente, pasi sipas saj, kjo është lojë politike e Albin Kurtit, njofton Klankosova.tv. Në hollin e Kuvendit, Çitaku i bëri thirrje partisë në pushtet që t’i ndërpresë veprimet “karate” të dhunës politike, sepse siç tha ajo, nuk është Kuvend i “karatesë” por institucion i të zgjedhurve të popullit. “Sot nga Kuvendi i Kosovës dua të apeloj te VV-ja që t’i ndërpresë këto veprime karateje të dhunës politike, sepse ky nuk është Kuvend i karatesë por institucion i të zgjedhurve të popullit”. “Nga zemra i bëj thirrje Feride Rushitit që të tërhiqet nga kandidatura nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit e cila është e dëmshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë politikisht emrin e saj për një maskaradë të rrezikshme politike. Si PDK e çmojmë angazhimin e saj në shoqëri civile, por nderi më i madh që mund t’i bëjë vendit, është të largohet nga kjo garë”, deklaroi Çitaku./Klankosova.tv Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentin të ri të vendit është shtyrë për në orën 14:00. Kjo erdhi pas bojkotit të opozitës për këtë seancë, transmeton Klankosova.tv. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu përpos që njoftoi për shtyrjen e seancës, ajo i bëri thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në votim. Kujtojmë se sonte në orën 00:00 përfundon afati për zgjedhjen e shefit të shtetit. VV zbutet pak, Nagavci: Përtej fajësimit e akuzave, të gjejmë zgjidhje… Pasi VV-ja tentoi vetë mbrëmë për ta votuar presidenten e vendit, shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Arbërie Nagavci sot i bëri thirrje opozitës që të jetë pjesë e këtij procesi. Ajo deklaroi se përtej fajësimit e akuzave, më e rëndësishmja është që të gjendet një zgjidhje rreth kësaj çështjeje, raporton Klankosova.tv. “Tani ne jemi deputetë të zgjedhur kemi mandat politik që të marrim vendime të cilat konsiderojmë që janë në interes të qytetarëve. Seanca është ftuar me 40 nënshkrime, në seancë kemi qenë 61 deputetë dhe kemi filluar seancën. Ndërkohë që procesi i votimit me votë të fshehtë e lejon që deri në përmbyllje të procesit mund të marrin pjesë të gjithë deputetët që janë të interesuar. Ne këtë pikë, në momentin që u pa që nuk janë 61 vota në kuti, e dinim që Haxhiu e ndërpreu seancën për të vazhduar”, deklaroi Nagavci para mediave, njofton Klankosova.tv. “Presim që të vijnë deputetët, konsideroj që përtej fajësimit ose hedhjes së akuzave, e rëndësishme është që të gjejmë zgjidhjen dhe të zgjedhim presidenten e vendit. Jemi të interesuar të zgjedhim presidenten dhe të shmangim zgjedhjet, edhe këtu ju bëj thirrje deputetëve të partive të tjera që të vijnë dhe të ofrojnë mundësi që të shmangim zgjedhjet e reja për më shumë të zgjedhim presidenten tashmë që kemi propozime të reja e konkrete”, shtoi ajo. Ndërkohë seanca është shtyrë për në orën 14:00 pasi opozita nuk mori pjesë as sot. Çështja e presidentit, Gashi: Sjellje e dhunshme për ndryshim të rendit kushtetues (VIDEO) Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka komentuar situatën aktuale sa i përket çështjes së presidentit. Para mediave në hollin e Kuvendit të Kosovës, ai tha se çdo tentim për ta tejkaluar rregullin kushtetues është shkelje e Kushtetutës. “Mendoj se rendi kushtetues është i qartë. Çdo tentim për të tejkaluar rregullin kushtetues është shkelje e Kushtetutës dhe sjellje e dhunshme e njëanshme për ndryshim të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai, njofton Klankosova.tv. “Gjithçka është përtej moralit, përtej rregullave, po kalohet në përdorim të forcës, jam i bindur që kjo duhet të ndalohet, nuk duhet të lejojmë që të shkojmë drejt një përplasjeje”. Ai theksoi se përplasja sociale politike është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën, raporton Klankosova.tv. “Unë si qytetar jam i shqetësuar për gjendjen dhe rruga e cila është zgjedh”, shtoi Gashi. Kurti thotë se po bëhen përpjekjet maksimale për zgjedhjen e presidentit Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se po bëhen përpjekjet maksimale për të zgjedhur presidentin/en e vendit. Pak para seancës së jashtëzakonshme, shefi i qeverisë tha se mbetet të shihet nëse në sallë do të paraqiten deputetët e opozitës, transmeton Klankosova.tv. “Ne po bëjmë përpjekjet maksimale, tash do shohim a po vinë deputetët e opozitës, që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin”, tha Kurti. Haradinaj: Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar pak para seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Para mediave, Haradinaj tha se mbrëmë ka ndodhur një shkelje e rëndë kushtetuese, transmeton Klankosova.tv. “Votimi pa 2/3, ashtu siç e parasheh Kushtetua, është shkelje e rëndë, drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Unë edhe një herë i bëj thirrje U.D të presidentes, kryetares së Kuvendit, kryetari të Qeverisë që të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Nëse shkojnë në këtë rrugë, nuk na lënë rrugë tjetër pos që të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës”, u shpreh i pari i AAK-së. “Kjo është një situatë shumë ndryshe. Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani, ai i zgjedh mënyrat e veta, të protestave, e mënyra të tjera”, tha ai. Deputeti i VV-së: Si askush tjetër, Feride Rushiti i plotëson standardet për shefe të shtetit Deputeti i VV-së, Vigan Qorolli është deklaruar në lidhje me çështjen e zgjedhjes së shefit të shtetit. Për Klan Kosova, ai tha se Feride Rushiti, si askush tjetër i plotëson standardet për të qenë presidente e Kosovës. Sipas tij, ajo është kandidaturë konsensuale për tërë popullin e Kosovës, raporton Klankosova.tv. “Feride Rushiti është kandidaturë konsensuale për tërë popullin e Kosovës. Si askush tjetër, zonja Rushiti i plotëson standardet për të qenë shefe e shtetit, nuk është kandidaturë veç e VV-së, por e përfaqëson më së miri se çka ka bërë në këto dy dekada”, deklaroi Qorolli. Ai tha se pret që opozita të marrë pjesë në seancë. “Presim që opozita të reflektojë dhe të vijë në seancë”, shtoi deputeti, njofton Klankosova.tv. Ndërsa sa i përket mesazhit të Naim Bardiqit, deputeti tha se nuk i komenton mesazhet individuale. “Nuk paraqet qëndrim të tillë, sepse presidenti paraqet unitetin e popullit. Kosova duhet të ketë president, kemi bërë përpjekje maksimale që t’i evitojmë zgjedhjet”, tha Qorolli. LDK s’merr pjesë as në seancën e sotme për presidentin Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jetë pjesë as sot në seancën e thirrur për presidentin nga Lëvizja Vetëvendosje. Këtë e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai u përgjigj shkurt për mediat, duke thënë: “Jo, në këtë seancë jo”, njofton Klankosova.tv. Pas pak seanca për presidentin, Berisha: S’ka rregulla e as besim, ligji nuk po respektohet Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha është deklaruar para vazhdimit të seancës për presidentin. Sipas tij, nuk ka rregulla e as besim, madje as ligji nuk po respektohet, njofton Klankosova.tv. “Me zgjedh një kandidat opozita tha 3 i ka, kur erdhëm ishin dy gra, gra të Kosovës të respektuara, por ndryshuan fjalët për 15 minuta. Besim nuk ka, rregulla nuk ka, ligji nuk po respektohet, tash erdhëm këtu me këqyrë çka”, u shpreh Berisha.