Avokatët thonë fjalët e fundit – kërkohet shpallja e pafajësisë për ish-krerët e UÇK-së NULL NULL 18.02.2026 09:48 18.02.2026 09:48 Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka thënë fjalën përfundimtare gjatë orëve të para të seancës në Hagë. Pas pauzës së drekës, radhën e kanë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ta thonë fjalën e fundit. Avokati i Krasniqit besimplotë që klienti i tij do të shpallet i pafajshëm Edhe avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis e ka thënë fjalën përfundimtare. Para prokurorëve dhe trupit gjykues, ai u shpreh besimplotë që kur gjykatësit të zbatojnë vlerësimet dhe të shohin dokumentet, do të pajtohen me argumentet e mbrojtjes të cilat do të çojnë në shpalljen e pafajshme të Jakup Krasniqit. “Ne jemi besimplotë që kur të zbatoni dhe kur bëni vlerësime, kur të shikoni dokumentet e të zbatoni me rigorozitet, ju do të pajtoheni me argumentet prej nesh dhe kjo do të çojë në shpalljen e pafajshme të Jakup Krasniqit”, tha avokati, njofton Klankosova.tv. 12:10 – Avokati i Krasniqit: ZPS përzgjedh fragmente që i shkojnë për shtati – s’bën analizë por shtrembërim Aidan Ellis, avokati i Jakup Krasniqit ka qenë i qartë në kundërpërgjigjet e tij ndaj Prokurorisë së Specializuar. Ai tha se argumentet e ZPS-së vazhdojnë të karakterizohen nga selektiviteti dhe përzgjedhjet e vazhdueshme, transmeton klankosova.tv. “Prokuroria përzgjodhi fragmente që i shkojnë për shtati teorisë së saj, ndërkohë që nuk mori parasysh fare sqarimet me gojë si dhe dëshmi shfajësuese dhe të pakundërshtuara nga vetë dëshmitarë të Prokurorisë. Kjo nuk është analizë, kjo është shtrembërim”, tha avokati. 12:05 – “Rexhep Selimi të lirohet menjëherë dhe të kthehet pranë familjes së tij” Avokati i Rexhep Selimit ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Ai përpara prokurorëve dhe gjykatësve, ishte i qartë dhe tha: “Rexhep Selimi të lirohet menjëherë dhe të kthehet në Kosovë pranë familjes së tij”. Mbrojtja ritheksoi se Selimi duhet të shfajësohet menjëherë./Klankosova.tv 12:02 – Mbrojtja ‘godet’ Prokurorinë: E paaftë që ta bëjë dallimin mes pretendimeve dhe provave – shqetësuese Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, po vazhdon të paraqesë deklaratat përmbyllëse në rastin Thaçi dhe të tjerët. Ai tha se është shqetësuese paaftësia e Prokurorisë së Specializuar, siç tha ai, për të bërë dallimin ndërmjet pretendimeve dhe provave, transmeton Klankosova.tv. “Paaftësia e Prokurorisë për të bërë dallimin mes pretendimeve dhe provave, është po aq shqetësuese në këtë fazë të procesit gjyqësor, sa është edhe befasuese. Por edhe paaftësia për të trajtuar pikat e tjera që janë ngritur në lidhje me NPK-në theksojnë mungesën e qartësisë dhe besimit që ka vetë Prokuroria në argumentet e veta”, tha Roberts. Ai shtoi se trupi gjykues nuk duhet të bazohet assesi në provat e paraqitura nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. 11:54 – Roberts ia thotë troç ZPS-së: Të vjen turp për argumentet kundër Selimit Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, gjatë fjalëve përmbyllëse të mbrojtjes, ia tha troç Prokurorisë së Specializuar, se vetë ZPS-së i vjen turp nga argumentet e saja ndaj ish-kreut të UÇK-së. Ai tha se nëse vet ZPS nuk është e bindur për argumentet ndaj Selimit, si mund ta bindë Gjykatën Speciale, transmeton Klankosova.tv. “Të jem i sinqertë, siç dhe kemi bërë deri tani, unë kam një problem. Nuk ka asgjë në parashtrimet e Prokurorisë , të cilave mund t’u kundërpërgjigjem, pavarësisht se më keni dhënë dy orë e gjysmë për parashtrimet, Prokuroria me argumentet e veta, në kundërpërgjigjet e argumenteve tona, tha vetëm disa pika diskrete, që ne i kemi trajtuar kohë më parë. Ta themi troç, Prokurorisë vet i vjen turp për argumentet e veta kundër zotëri Selimit”, tha ai. 11:33 – Përfundon fjalën avokati Dixon: Thërrime thashethemesh, Veseli i pafajshëm Në fund të fjalës, avokati i Kadri Veselit theksoi se klienti i tij është i pafajshëm. Ai tha se ajo që mbetet nga argumentet e ZPS-së është thjesht “thërrime thashethemesh”, duke shprehur përbuzje për vetë themelin e gjykatës, transmeton Klankosova.tv. Dixon kërkoi të kontrollohet narrativa e rreme dhe të gjendet e vërteta në gjithë këtë rrëmujë, pasi ZPS=ja nuk ka asnjë provë. “Mbrojtja ka të drejtë që të tregojë që pretendimet janë të bazuara në thashetheme dhe janë të pabaza. Ajo që mbetet është thjesht thërrime thashethemesh, tregon përbuzje për vet themelimin e kësaj gjykate”. “Të kontrollohet narrativa e rreme, të gjendet e vërteta në gjithë këtë rrëmujë që nuk ka asnjë provë në argumentet e ZPS-së”, u shpreh avokati./Klankosova.tv 11:22 – Mbrojtja: Provat ndaj Veselit, një grumbull mbeturinash Rodney Dixon, avokati i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka deklaruar se argumentet e Prokurorisë së Specializuar ndaj klientit të tij, janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë përfshirjen e Veselit në veprimtari kriminale. Pos tjerash, avokati mbrojtës thotë se Zyra e Prokurorisë së Specializuar nuk pranon assesi që është në gabim, transmeton Klankosova.tv. “ZPS-ja nuk e pranon që është gabim. Ne i kemi trajtuar gjerë e gjatë makinacionet e grumbullit të thashethemeve që ka ZPS-ja lidhur me pretendimet e drejtpërdrejta, dhe themelësinë e argumenteve të tyre, që sipas nesh nuk ekziston fare. Janë 15 faqe vetëm për një pretendim, ku kemi thënë se si provat e bazuara vetëm në thashetheme janë thjesht një grumbull mbeturinash që nuk vërtetojnë aspak që zotëri Veseli të ketë qenë i përfshirë në ndonjë veprimtari, e lëre më të ishte i pranishëm kur diçka ka ndodhur”, tha Dixon. Ndërkohë, ai përmendi edhe gënjeshtrat që sipas tij, i kanë thënë dëshmitarët e ZPS-së. 11:14 – Dixon: Me prova të patestuara s’mund të marrësh vendim fajësie – argumentet ndaj Veselit të pabaza Avokati i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, Rodney Dixon po i thotë fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ai ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar, se për të, ligji dhe rregullat janë të pavolitshme, transmeton Klankosova.tv. “Ne e kuptojmë se ligji për [ZPS] është i pavolitshëm”, u shpreh ai. Ndërkohë, ai përmend një rregull se provat që nuk janë testuar, nuk mund të përdoren assesi si bazë e vetme për të dalë me vendim fajësie. “Konfirmimi është gjithmonë në varësi të rregullës 144, që ndalon pa përjashtim përdorimin e provave të patestuara si bazën e vetme për të dalë me vendim fajësie. Të gjitha argumentet ndaj zotëri Veselit janë të pabazuara”, tha Dixon. Dixon: Veseli s’mund të shpallet fajtor vetëm me thashetheme Avokati i ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli, Rodney Dixon po i thotë fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Ai tha se Kadri Veseli nuk mund të shpallet fajtor në bazë të provave që nuk janë testuar dhe thashethemeve, transmeton Klankosova.tv. “ZPS-ja kur foli të hënën foli shumë pak për zotëri Veselin, deri në momentin kur nga fundi, zotëri Howling iu rikthye trillimit të ZPS-së, të ligjeve dhe fakteve për një përpjekje të fundit për të përfshirë zotëri Veselin. Sipas nesh, deri në këto momente nuk u tha asgjë,madje edhe kur thanë, thanë fjalë boshe. Asgjë deri në fund të fjalës së ZPS-së, sepse nuk kanë asnjë përgjigje për akuzat që ngritëm ne sa i takon argumenteve të tyre ndaj zotëri Veselit. Por sidoqoftë, ata pretendojnë se ne nuk kemi trajtuar themelësinë e akuzave të ZPS-së. Është akuzë e rëndë kjo. Sepse ajo që bëmë ne javën e kaluar, ishte trajtimi i të gjitha akuzave, një nga një, të paraqitura nga ZPS”, u shpreh Dixon. “Mbrojtja mbështetet në të drejtat më themelore që duhen të jenë në çdo gjykim penal, pra e thënë shkurt, të testohen provat ndaj të akuzuarve. ZPS-ja po përpiqet të shfrytëzojë pikërisht fillin e artë të të drejtës penale për të lidhur klientin tim. Ky parim ligjor është i padiskutueshëm, gjykata nuk mund të shpall fajësinë për një person, nëse kjo shpallje fajësie do të mbështetet vetëm mbi prova të patestuara dhe thashetheme”, u shpreh ai. 10:57 – Avokati i Thaçit kërkon sërish shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq në përfundim të fjalës së vetë, ka kërkuar sërish shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat, raporton Klankosova.tv. “Nuk kemi asnjë provë”, u shpreh mbrojtja. Mishetiq thekso se standardi që kanë Dhomat e Specializuara e që pasqyron standardet e Tribunalit, është që duhet të ketë një kontribut të konsiderueshëm për krimet në aktakuzë. “ZPS për këto nuk iu ka treguar asnjë provë në përfundim. Ju lutem shpallni pafajësinë për të gjitha akuzat”, tha Mishetiq pasi e tha fjalën e fundit./Klankosova.tv 10:52 – Mbrojtja: ZPS s’ka prova që LDK bojkotoi qeverinë e përkohshme për shkak të keqtrajtimeve të Thaçit Luka Mishetiq, avokati mbrojtës i Hashim Thaçit ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dështuar të mbledh prova reale se LDK ka bojkotuar qeverinë e përkohshme, siç pretendohet, si pasojë e keqtrajtimeve nga ish-presidenti. Ai tha se ZPS-ja nuk i referohet asnjë prove të asaj kohe, transmeton Klankosova.tv. “ZPS-ja nuk citon asnjë provë që LDK-ja bojkoti qeverinë e përkohshme për shkak të keqtrajtimit të pretenduar prej zotëri Thaçit apo dikujt tjetër. ZPS-ja nuk i referohet asnjë prove të asaj kohe, dhe asnjë qëndrimi të LDK-së, dhe as nuk dha informacion shtesë për këtë”, tha Mishetiq. Por, sipas Mishetiq, Prokuroria e Specializuar ka prova që LDK ka bojkotuar qeverinë e përkohshme, siç tha ai, për shkak të mosdëshirës për t’i ndarë në mënyrë të njëjtë vendet në organin qeverisës. “Përkundrazi, ju keni prova të asaj kohe që LDK-ja ka bojkotuar qeverinë e përkohshme të asaj kohe sepse nuk dëshironte t’i ndante njësoj vendet në qeverinë e përkohshme. Zotëri Thaçi në të vërtetë ka qenë gjithëpërfshirës”, shtoi avokati. 10:39 – Mishetiq e “skuq” ZPS-në, ia përmend dëshmitë e Clarkut për komunikatat e UÇK-së Avokati i mbrojtjes së Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar se ajo nuk mund të mbështet argumentet e veta. “ZPS-ja nuk ka prova për të mbështetur argumentin e vet. Thelbi i dokumenteve është kaq i dobët, saqë po t’iu referohem këtyre dokumenteve, ZPS-ja do ta bëjë edhe më të dobët argumentin e vet. Në rastin më të mirë, argumentet e ZPS-së janë një harrnim dokumentesh që ua ka lënë juve që t’i mblidhni me njëra-tjetrën, dhe kjo nuk përmbush barrën e Prokurorisë”, u shpreh Mishetiq, transmeton Klankosova.tv. Pos tjerash, avokati thotë se Prokuroria e Specializuar vazhdon të pretendojë se dëshmitarët ndërkombëtarë nuk ishin të informuar për komunikatat e UÇK-së. Lidhur me këtë, ai përmendi dëshminë e ish-gjeneralit suprem të NATO-s, Wesley Clark, i cili pati deklaruar se ai vetë kishte informuar Sllobodan Millosheviqin për bombardimet në Serbi. “ZPS-ja vazhdon të pretendojë që ndërkombëtarët nuk ishin të informuar me dokumentet dhe komunikatat e UÇK-së, duke cituar ndër të tjera edhe dëshminë e dëshmitarit Clark. Por, në qoftë se ju kujtohet dëshmia e dëshmitarit Clark lidhur me tri takimet e tetorit me Millosheviqin, ai na tha se në këto takime i ishte thënë Millosheviqit se NATO-ja do ta bombardonte vendin nëse Millosheviqi nuk do të ndërpriste luftimet ndaj Kosovës. Sigurisht që Millosheviqi ka qenë i informuar për komunikatat, se në fund të ditës Kosova ishte thjesht një provincë e Jugosllavisë”, tha Mishetiq. 10:30 – Vazhdojnë kritikat ndaj ZPS-së: “Nuk ka prova që Thaçi autorizoi komunikatat e UÇK-së” Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka vazhduar me kritika ndaj ZPS-së, duke thënë se njëjta nuk ka asnjë provë që klienti i tij të ketë autorizuar komunikatat e UÇK-së. Sipas tij, ZPS ka vetëm pretendime të paverifikuara. Madje. “Ju thamë që ZPS nuk ka asnjë pikë prove që Hashim Thaçu ka lidhje me autorizimin e komunikatave përveç pretendimeve të Rexhep Selimit në intervistën e ZPS-së. Në fakt, ZPS nuk ka asnjë provë tjetër që tregon se Thaçi ishte i përfshirë në përgatitjen e komunikatave”. “ZPS nuk ka madje asnjë provë tjetër, por nuk është mbështetur në asnjë lloj reference të dorës së dytë. Nuk ka prova të lidhjes kohore gjeografike me asnjë komunikatë të krimeve. ZPS përsëri në kundër argumentet e veta nuk mundi të shpjegonte provat në të cilat ajo mbështetet për të vërtetuar lidhjen”, theksoi avokati. “Në cilën prej deklaratave publike të Hashim Thaçit dhe cila prej tyre ka kontribuuar për krimet në aktakuzë? Në vend që ZPS të jepte përgjigje, prokuroria na dha citime, dhe këtë nuk e bëri që nuk kishte kohë, por ishte e qëllimshme”, u shpreh Mishetiq, njofton Klankosova.tv. 10: 26 – Mishetiq i ashpër me Prokurorinë: Fshehin provat deri në dosjen përfundimtare Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka akuzuar Prokurorinë e Specializuar se ka fshehur provat deri në dosjen përfundimtare, pasi sipas tij, ZPS e ka ditur që mbrojtja do ta sulmonte dhe do t’i hidhte poshtë këto dëshmi. Ai theksoi se ZPS po ndryshon paraqitjen e provave në kundërpërgjigjet e tyre, transmeton Klankosova.tv. Tutje, Mishetiq përmendi edhe dëshminë e Bislim Zyrapi, duke theksuar se ai nuk ishte dëshmitar i besueshëm. “Të mërkurën i kërkuam ZPS-së të na shpjegonte se si arriti në këtë përfundim, kur Zyrapi ishte i pranishëm [në takimet e UÇK-së] dhe Zyrapi nuk ishte anëtar i NPK-së. Ne nuk dëgjuam asnjë përgjigje, dhe arsyeja për këtë është se Prokuroria nuk ka asnjë përgjigje. Për ne kjo nuk ka kuptim”, tha Mishetiq. Po ashtu, avokati shtoi se ZPS duhet t’i informojë mbrojtjen për të gjitha provat që i posedojnë ndaj të akuzuarve. Mbrojtja e Thaçit: ZPS nuk do që Gjykata ta bëjë punën e saj – ka dështuar në mbledhje të provave Luka Mishetiq, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi ka marrë edhe sot fjalën për t’i paraqitur deklaratat përmbyllëse në gjyqin ndaj katërshes së UÇK-së. Ai tha se Prokuroria e Specializuar nuk ka dëshirë që Gjykata Speciale të bëjë punën e saj, pasi sipas tij, ajo do që Specialja të bëjë punën e ZPS-së, transmeton Klankosova.tv. Pos tjerash,Mishetiq theksoi edhe një herë se ZPS ka dështuar të mbledh prova të besueshme. “Mbrojtja e di që ju do e bëni punën tuaj i nderuar gjykatës, dhe ju do të pranoni konsensusin, pra provat që kemi ju kanë përshkruar juve. Në fakt është Prokuroria ajo që nuk dëshiron që ju të bëni punën tuaj. Ata duan që ju të bëni punën e atyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arrinin të gjenin. Por siç e thash të hënën, barra e provës bie mbi ZPS-në dhe vetëm mbi ZPS-në, dhe ata dështuan për këtë”, tha Mishetiq. 10:16 – Mishetiq e ripërsërit: S’ka prova që Thaçi ishte i përfshirë në krime lufte Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq ka marrë fjalën gjatë seancës së sotme në Hagë kur katërshja e UÇK-së pritet t’i thotë fjalët përfundimtare. Ai ritheksoi se nuk ka asnjë raport për Thaçin, pra nuk ka prova që i njëjti kishte një rol në përgatitjen apo shpërndarjen e komunikatave të UÇK-së. Misheqit shtoi se ZPS nuk jep asnjë shpjegim racional apo logjik për mënyrën se pse anëtarët e NPK-së pretendohet të kenë transmetuar qëllimin e përbashkët kriminal përmes komunikatave. “Nu ka asnjë raport për Thaçin. Ju thamë që s’ka prova që Thaçi kishte një rol në përgatitjen apo shpërndarjen e komunikatave. ZPS nuk ka ofruar asnjë shpjegim racional apo logjik për mënyrën se si anëtarët e NPK-së pretendojnë se është transmetuar qëllimi i përbashkët kriminal përmes komunikatave, nëse UÇK ka pasur një zinxhir komandues funksional. Ju thamë gjithashtu se konsensusi i provave të dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK-së është që Hashim Thaçi nuk dyshohet të ketë qenë i përfshirë në krime lufte apo politikë që shënjestronte të ashtuquajtur kundërshtarë. ZPZ nuk kishte argumente për të hedhur poshtë këto pika themelore, pra ato nuk kishin përgjigje”, tha Misheqit, njofton Klankosova.tv. “Ata kishin 45 minuta në dispozicion kur përfunduan kundër argumentet e tyre, por nuk e bënë këtë gjë sepse nuk kishin përgjigje. Kur ata nuk ishin në gjendje që të paraqesin kundër argumente, ZPS tha se kundër përgjigjet e tyre të hënën duke pretenduar se mbrojtja nuk do që ju të bëni punën tuaj, juve gjykatës”, deklaroi ai./Klankosova.tv 10:09 – Avokati Loz flet për dëshmitë e pranuara nga viktimat që s’u ekzaminuan nga ekspertët Avokati mbrojtës i viktimave, Sajmon Loz po vazhdon me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj katërshes së UÇK-ë në Hagë. Ai foli rreth provave të viktimave që dëshmuan në këtë proces gjyqësor transmeton Klankosova.tv. “Ne e kemi bërë të qartë më shumë se në një rast se vlerësimet individuale nuk synojnë në asnjë moment, dhe nuk ishin të domosdoshme apo të nevojshme, dhe trupi gjykues ka vendosur, pra ka konstatuar se mungesa e tyre nuk i bën këto prova as jorelevante e as të papranueshme. Ai ka folur edhe për vendimin e trupit gjykues për të pranuar provat nga viktimat e pretenduara. “Ndonëse ekspertët u pajtuan se për të lidhur në mënyrë konkrete simptomat me krimet e pretenduara, do duhej të bëhej ekzaminimi i personit në fjalë,kjo nuk është dëshmi që u ofrua në këtë çështje. Mungesa e ekzaminimit individuale e viktimave nuk i bën provat apo dëshmitë jo relevante apo të papranueshme. Mungesa e këtyre ekzaminimeve thjesht kufizon fushëveprimin apo rëndësinë e relevancës së provave të propozuara”, citoi avokati i viktimave, mbrojtjen e katërshes së UÇK-së. Megjithatë, ai tha se mbrojtja e të akuzuarve nuk dhanë argument që qëndron./klankosova.tv 09:57 – Mbrojtësi i viktimave: Nuk është vërtetuar lidhja mes viktimave dhe ish-krerëve të UÇK-së Në fjalët përfundimtare në gjyqin e madh ndaj sish-krerëve të UÇK-së, deklaratat përmbyllëse është duke i dhënë mbrojtës i viktimave, Sajmon Loz. Ai tha se parashtrimit i mbrojtjes së viktimave mbështetet në rrëfime të dhimbshme e emocionale, transmeton Klankosova.tv. Ndërkaq, ai thotë se sado të rënda janë, këto rrëfime nuk kanë vërtetuar lidhjen e individëve dhe ligjore që qëndron me krimet për të cilat ngriten akuzat, ashtu siç kanë deklaruar edhe mbrojtja e çlirimtarëve. Loz shtoi se mbrojtja e viktimave nuk është munduar të vërtetojë lidhjen mes viktimave dhe konkretisht Rexhep Selimit, por edhe të akuzuarve të tjerë. “Kjo është punë e Prokurorisë”, tha ai.