Aksion i policisë në veri: Konfiskohen armë, granata dhe emblema serbe (FOTO) NULL NULL 17.02.2026 17:24 17.02.2026 17:24 Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në tri lokacione të ndryshme në veri, ku dyshohej për armë, municion dhe mjete të tjera ilegale. Ky aksion u bazua në informacionet e siguruara nga ana e qytetarëve. Si rezultat i kontrolleve të realizuara, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme armatimi dhe pajisjesh të ndryshme. Rasti I – Jagnjenic, Zubin Potok Rreth orës 01:20, njësitë policore kanë kontrolluar një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenic të Zubin Potokut. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 1 emblemë dhe disa spaleta të Policisë së Serbisë. Rasti II – Zhitkovc, Zveçan Rreth orës 09:20, gjatë kontrollit në një hambar të një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, Komuna e Zveçanit, policia ka gjetur dhe sekuestruar: 1 armë automatike AK-47; 1 granatë dore M-57 (prodhim jugosllav); 3 karikatorë të zbrazët të AK-47; 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm; 60 fishekë për AK-47; 2 uniforma ushtarake me emblema të Serbisë. Rasti III – Varagë, Zubin Potok Rreth orës 12:20, njësitë policore kanë kontrolluar një tjetër shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar: 1 granatë dore; 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Në rastin e dytë dhe të tretë, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat kanë bërë tërheqjen e granatave në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Lidhur me këto raste, deri më tani nuk është arrestuar asnjë person.