Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

“Kërcënon me sëpatë”, qytetarët e Shtimes në frikë nga veprimet e një personi problematik (VIDEO)

NULL NULL
01.02.2026 17:48

Qytetarët e komunës së Shtimes kanë ngritur shqetësime për veprimet e një personi, i cili, sipas tyre, prej muajsh rrezikon sigurinë publike dhe shqetëson banorët.

Një qytetar që jeton në Francë për Klankosova.tv ka raportuar se i dyshuari, me inicialet H.H., nuk i bindet policisë, ka hyrë në shtëpi private, ka rrahur fëmijë pranë shkollës, ka dëmtuar lokale dhe prona, si dhe ka kërcënuar qytetarë me thikë dhe sëpatë. Sipas tij, ai është arrestuar disa herë, por është liruar sërish.

Qytetari tha se shtëpia e tij është thyer dy herë brenda një dite. “Ky person pretendohet se ka probleme mentale, por me probleme mentale nuk di si ndërpritet energjia elektrike në shtyllë. Është arrestuar dhe pas 4-5 orësh është liruar, ndërsa po atë ditë sërish ma kanë thyer shtëpinë”, u shpreh ai.

Pamjet e siguruara nga Klankosova.tv tregojnë dëmet e shkaktuara, të cilat dyshohet se janë bërë nga i njëjti person.

Sipas ankuesit, i dyshuari ka ndjekur njerëz me sëpatë në rrugën “Imer Prizreni” dhe ka hyrë natën në shtëpitë e dy të moshuarve të paralizuar, duke i kërcënuar me thikë. “Këto veprime po i bën tash e dy muaj. Motra më ka treguar se ka rrahur edhe fëmijë pranë shkollës”, shtoi qytetari.

Klankosova.tv ka kontaktuar Policinë në Ferizaj për të kuptuar më shumë rreth këtij personi, për të cilin qytetarët e Shtimes kanë paraqitur shumë ankesa.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur se personi me inicialet H.H. është i njohur për institucionet për shkak të problemeve të shëndetit mendor dhe se është trajtuar në mënyrë të vazhdueshme.

Ai theksoi se, me iniciativë të Policisë, mbi pesë herë është dërguar për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, mirëpo për shkak të mungesës së vendeve, nuk ka qenë i mundur pranimi i tij.

“Lidhur me kërkesën personi H.H. nuk ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve, ndonëse më herët ka pasur raste të trajtimit të tij nga institucionet përkatëse. I njëjti është person i njohur për institucionet për probleme të shëndetit mendor dhe është trajtuar në mënyrë të vazhdueshme. Me iniciativë të policisë, mbi pesë (5) herë është dërguar për trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë, mirëpo për shkak të mungesës së vendeve, nuk ka qenë e mundur pranimi i tij”, njoftoi Veseli.

Tutje, ai theksoi se rasti është trajtuar nga Policia dhe Gjykata, ku Gjykata ka nxjerrë vendim për dërgimin e tij në forenzikë psikiatrike dhe se aktualisht, institucionet janë në pritje të rikthimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës për realizimin e këtij procesi.

lajme të ngjashme