Ekskluzive: Ky është ushtari nga Drenasi i akuzuar për dhunim në Angli, policia britanike flet për Klanin NULL NULL 12.11.2025 14:18 12.11.2025 14:18 Bali Hoxha, 28-vjeçar, ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është duke u akuzuar në Mbretërinë e Bashkuar për përdhunim dhe për dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje. Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj raporton ekskluzivisht, duke iu referuar burimeve se Hoxha është nga Krajkova e Drenasit. Ai ishte nisur me një ekip ushtarësh për një trajnim disa mujor në “West Tofts Camp” në Thetford. Më 17 shtator dyshohet se i ka kryer veprat penale. Zogaj ka pranuar përgjigje nga zyra e komunikimit të policisë në Norfolk, e cila ka konfirmuar arrestimin e tij dhe ka njoftuar se i njëjti do të paraqitet më 7 prill të vitit 2026 në Gjykatën e Kurorës në Norwich. “Incidenti ndodhi rreth orës 23:30, të mërkurën, më 17 shtator 2025, përgjatë shtegut midis rrugës Prince of Wales dhe parkut tregtar Riverside. Një burrë rreth të 20-ave është arrestuar me dyshimin për përdhunim dhe sulm seksual dhe është dërguar në Qendrën e Hetimit të Policisë Wymondham për t’u marrë në pyetje”, thuhet në përgjigjen e policisë së Norfolk për Klan Kosova. I paraqitur sot para gjykatës përmes një videolidhjeje, ai ka mohuar të ketë kryer këtë vepër penale. Ndërkaq, në gjykatë u vendos që i njëjti të mbetet në paraburgim. Po ashtu, gjyqtarja e rastit, Katharine Moore, ka urdhëruar që ushtarakut t’i sigurohet një përkthyes në gjuhën shqipe, në mënyrë që të vazhdohet më tej procedura kundër tij. / Klankosova.tv Vërejtje: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata që e trajton këtë çështje penale. Ushtari kosovar mohon akuzat për përdhunim dhe sulm seksual në Angli, BBC raporton për rastin