Një shpresë e madhe për Shqipërinë NULL NULL 29.03.2016 10:43 29.03.2016 10:43 Pas një jave në Shqipëri, Valery Larbaud e lë Tiranën në orën gjashtë të pasdites. Marcel-i, i zënë me punë diplomatike, nuk mundi ta shoqërojë gjer në Durrës. Rrugës, duke marrë drejt Durrësit, ai kapërceu Erzenin, Shijakun dhe ndërkohë, vëzhgonte fshatarët me kostumet e tyre kombëtare, duke kujtuar historinë që i kishin treguar ato ditë në Tiranë mbi ministrin e ambasadës gjermane, i cili, kur kishte ardhur për të dorëzuar letrat kredenciale, kishte shkuar në Shkodër, bashkë me gruan e tij, të veshur me kostumin kombëtar shqiptar. “Thonë se kishte marrë me qira dhe një gomar dhe hipur mbi të shkonte i shoqëruar nga ministresha, e cila ecte në këmbë pas tij, me qëllim që të ndiqte zakonet shqiptare. Kjo vizitë kishte shkaktuar një surprizë të madhe me ca të qeshura. Madje thuhet se të veshur kështu, ata kishin qenë dhe në Tiranë e Durrës, për të përshëndetur ministrin e Anglisë, ndërkohë që gruaja e bënte rrugën gjithnjë në këmbë. Së fundi, thuhet se kur kishte qenë te fisnikët shqiptarë, e zonja e shtëpisë, sapo i kishte parë, nuk i kishte njohur dhe i kishte thënë me zë të lartë pastrueses në frëngjisht “Ju kam thënë që s’duhet t’i shoh këta lypës të më hyjnë në shtëpi”. Njeriu që ma tha këtë anekdotë e kishte të dëgjuar. Mundet që në origjinë të kësaj historie karikaturale të ketë pasur një ngjarje që lidhet me kostumet e këtij diplomati dhe gruas së tij në fillimet e qëndrimit të tyre në Shqipëri”. Në Durrës, ai i hipi anijes “Srbin” që vinte nga Athina. Duke u larguar, Larbaud vështronte gjirin e Durrësit, kodrën, vilën mbretërore lart saj, plazhin nën kodër në anën veriperëndimore, ku siç shkruan ai, “është një kënaqësi e madhe e grave shqiptare të cilat burrat nuk i marrin me vete nëpër udhëtime”. “Aty ka veç kabina dhe tenda, përveç mbretit që ka një “bungalow” të çmontueshme. Asnjë kafene, asnjë restorant, madje as hotel. Ushqimet i sjellin me veturë nga Durrësi, të kënaqur që i sjellin gjer në plazh… Ajo çka shihet në veriun shqiptar nga deti është gjelbërimi dhe se toka duhet të jetë mjaft pjellore. Në bregun e Malit të Zi është një shkreti e tmerrshme, ndërkohë që Shqipëria na duket si një kopsht plot hije, si një park i mrekullueshëm. Dhe tani i them vetes se përse nuk i përfilla dhe aq dy “agjentët” e Bajronit në Shqipëri: D’Estournelles de Constant dhe Justin Godart. Marcel-i kishte vendosur në dhomën tonë librin Shqipëria e vitit 1921 të Justin Godart me parathënien e D’Estournelles de Constant. I lexova shkrimet e këtyre njerëzve të mençur dhe shërbyes të zellshëm të pavarësisë shqiptare dhe m’u dukën të mrekullueshme. Është diçka për t’u përgëzuar që ata krijuan një traditë “shqiptarofilie” në diplomacinë dhe politikën franceze. Në momentin që “Srbin” merrte tutje në det, unë ndjeva dhe njëherë aromën e këndshme që kisha ndjerë sapo kisha mbërritur në Tiranë… Pasi ndaloi në Tivar, Raguzë, Spalato, Shebenik e Zara, ai shkoi më së fundi drejt brigjeve italiane. “Shqipëria, qëllimi kryesor i këtij udhëtimi, më ka mbetur në mendje. Nuk rresht së krahasuari peizazhin e saj me ato të këtyre vendeve që po përshkoj. Veçse në Zara ne pamë spektaklin e një toke pjellore dhe të gjelbëruar. Brigjet malazeze dhe dalmate ishin si shkretëtira në krahasim me brigjet shqiptare, të paktën nga Durrësi e deri në Ulqin. Që nga Abbazzia ne po ecim në krah të Istrisë dhe gjejmë kështu po atë pamje të Shqipërisë. Një shpresë e madhe për Shqipërinë tonë!” Më 16 korrik, nga Legata franceze në Tiranë, Marcel Ray i shkruante Larbaud-së: “Ah sikur të ishe pardje në krahun tim të djathtë, ndërkohë që prisja për ceremoninë e festës së 14 korrikut rreth 80 apo 120 vizitorë. Dhe ti, ashtu si unë, do u kishe dhënë duart gjithë atyre njerëzve dhe do kishe dëgjuar mesazhin me urimet dërguar në mënyrë të veçantë nga mbreti, mesazh i përcjellë nga Leone di Ghilardi, i veshur me uniformën e tij plotë dekorata, çka ishte një favor i veçantë që shkaktoi jo pak komente. Erdhën gjithashtu pjesa më e madhe e ministrave, drejtues të lartë të Oborrit mbretëror dhe të Ushtrisë, funksionarë të lartë dhe arkipeshkvi ortodoks, dy peshkopët katolikë dhe kreu i Bektashinjve, i shoqëruar nga dy adjutantët e tij, i cili mbante një kapele jeshile dhe të bardhë, me 12 shenja, në kujtim të 12 imamëve. Gjithë këta miq të ndritur duket se e shijuan shampanjën, “fois gras” dhe të tjera ushqime që u zhdukën menjëherë. Pastaj me çka mbeti, sajuam një “lunch” për Trupin Diplomatik. Mikesha juaj, zonjusha Micura, e veshur me një fustan ngjyrë qielli të lehtë, ishte e shqetësuar për udhëtimin tuaj, madje më pyetën dhe persona të tjerë, të cilët i takuat në Shqipëri. Zoti Kolea që nënshkruan “Koleja” nuk guxoi ta linte “ qytetin e librave “ dhe më kërkoi ndjesë me dy fjalë…” Në 10 tetor të vitit 1935, në prag të largimit të tij nga Shqipëria, Marcel Ray i shkruan përsëri mikut të tij Larbaud: “… Ja ku jam përsëri në Tiranë, i veshur me një kostum të bardhë lini në këtë vapë të madhe që ende vazhdon prej disa ditësh. Qyteti është mbushur ngado nga flamujt kuqezi për ditëlindjen e mbretit. Në sheshin e ministrive, grupe punëtorësh “skipëtars” punojnë ngadalë për të transformuar një kanal të hapur që ju e njihni tashmë në një “Circo Agonale” me shkallë të gjelbëruara dhe shatërvanë. “Bulevardi Musolini” është zbukuruar me disa shtëpi të reja. Drita e tetorit është më e bukur dhe më e këndshme se ajo e qershorit… Po pres përgjigje rreth kërkesës sime për t’u pritur nga mbreti. Besoj se me keqardhje do ta lë Shqipërinë, duke i bërë përshëndetjet këto dhjetë-dymbëdhjetë ditë…” Kjo është letra e fundit e ministrit francez, Marcel Ray, ka shkruar nga Shqipëria. Ditari (Journal), i ribotuar së fundi nga “Gallimard”, na njeh jo vetëm me një nga intelektualët e njohur francezë të viteve 20’-30’ që u pasionua aq shumë nga Shqipëria, por dhe me një përshkrim simpatik të një Tirane që dikur spikaste nga gjelbërimi, me dëshirën për t’u kthyer në një qytet perëndimor. Mjerisht, fill pas udhëtimit nga Shqipëria, Larbaud u sëmur dhe u paralizua, çka bëri të shuhet dhe ëndrra e tij për t’u rikthyer në Shqipëri, siç dhe kishte premtuar. Megjithatë, “la settimana albanese”, shënimet e këtij poeti e përkthyesi mjaft të njohur, mbetën mesazhe dashamirëse të një humanisti që i shikonte shqiptarët si pjesëtarë të së njëjtës familje… asaj të Europës./ Gazeta-Shqip *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
Kosova Artistja Xhafa-Mripa shfaq instalacionin “Mendoj për Ty” para selisë së KiE-së në Strasburg 19 orë më parë
Kosova Behramaj: Vepra e Nënë Zahides zgjati 2 muaj e gjysmë – nga djepi fillon gjithçka për ne shqiptarët 2 days